E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësisht nga “Panorama Sport”, 16 këshilla për Ari Han

Gazeta angleze "The Sun" i uroi punë të mbarë trajnerit të ri të Anglisë, Fabio Kapelo, madje edhe duke e "ndihmuar", me dhjetë këshilla, të cilat ai duhet t'i ketë mirë parasysh, nëse dëshiron suksesin. Me të njëjtën dashamirësi, edhe "Panorama Sport" i uron punë të mbarë trajnerit Ari Han, duke dashur gjithashtu, ta ndihmojë me disa këshilla të vyera, në mënyrë që ta njohë më mirë terrenin ku do të punojë.
1. Gjithnjë do të kesh rreth e rrotull njerëz që buzëqeshin, por një pjesë e tyre (përfshi edhe lojtarë) me vete thonë: Ja ke fut kot plako!
2. Në stërvitjet që do kryesh në fushën e Shijakut, mos i aktivizo kurrë fantazistët. Ata nuk mund të luajnë në baltë.
3. Tifozët shqiptarë duan maksimumin, pavarësisht kundërshtarit, por ti mund t'ua fitosh zemrat edhe duke qëndruar në këmbë gjatë ndeshjes, duke bërë si i fortë e duke u bërtitur me të madhe lojtarëve.
4. Ajo cka e karakterizon Shqipërinë në arenën ndërkombëtare është: Elvin Beqiri është gjithmonë i dëmtuar, golat vijnë përherë nga mesfusha dhe, nëse kërkon Lorik Canën, mund ta gjesh te lista e lojtarëve me kartonë të verdhë.
5. Shiriti i kapitenit është një cështje më vete. Nëse arrin ta zgjidhësh këtë problem si perëndimor i vërtetë, atëherë përgatitu të marrësh surpriza "të këndshme".
6. Nëse vendos të kritikosh publikisht një lojtar, atëherë bën mirë të mos zgjedhësh Canën, Lalën apo Skelën.
7. Nëse sheh se lojtarët nuk hanë mirë gjatë darkës, mos kujto se u ka ikur oreksi. Thjesht kanë programuar një tjetër darkë, kur ti të jesh në dhomën tënde.
8. Sado harmoni mund të kesh me grupin, mos harro kurrë, kurrën e kurrës, se si u largua Oto Baric.
9. Shqiptarët luajnë vetëm 89 minuta në një ndeshje, tek e 90-ta e pësojnë gjithmonë. Të gjithë trajnerët që i kanë drejtuar kuqezinjtë e dinë mirë këtë
10. Baric pëlqente shahun. Ti bën mirë të mësosh lojërat me letra, po deshe ta kesh mirë me lojtarët.
11. Mos u përpiq të jesh me cdo kusht në dy ndeshjet e fundit. Je apo s'je në pankinë, në fund do ta pësosh.
12. Nëse Armand Duka deklaron se rinovimi i kontratës është vetëm një formalitet, atëherë bëj valixhet dhe gjej skuadër tjetër.
13. Kur të të ftojnë për të parë talentet e kampionatit shqiptar, përgatitu të mos shohësh asnjë të tillë.
14. Kur të shkosh në Antalia, merr me vete edhe krem kundër diellit. Ai është vendi i zgjedhur nga FSHF-ja për turizëm aktiv.
15. Mos thuaj kurrë në konferenca shtypi se Shqipëria nuk mund të shkojë në finalet botërore apo evropiane. Shqiptarëve u pëlqejnë gënjeshtrat e bukura.
16. Në fund një gjë e vogël, e vockël fare: Duam edhe ne Kupën e Botës!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›