E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqësoret, disfata për Gjermaninë dhe Italinë

TIRANE - Mbrëmje surprizash në ndeshjet miqësore të luajtura dje, teksa Gjermania, Italia dhe Anglia, kanë dalë të mundura.
Në "Vesserstadion" të Bremenit, Gjermania e Joakim Lëv është mposhtur 1-2 nga Franca e Loran Blank, në një sfidë ku "pancerat" kanë qenë jo në ditën e tyre më të mirë. "Gjelat" shënuan golin e parë me anë të sulmuesit të Montpelje, Zhiru, në minutën e 21-të të pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, francezët janë shfaqur të frikshëm në fushë, duke krijuar një seri rastesh të pastra dhe duke vënë përfund gjermanët. Minuta e 69-të solli golin e dytë me autor Florent Maluda, ndërsa në minutat e mbetura, Gjermania arriti të realizonte golin e nderit, me anë të Kakau.

Ndërkohë, disfatë edhe për Italinë, që në Xhenova ka zhgënjyer përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Goli i Klint Dempsi në minutën e 55-të ka rezultuar fatal për ekipin e Prandelit, që pëson kështu humbjen e dytë radhazi pas asaj me Uruguajin në muajin nëntor.

Ndërkohë, spektakël në "Uembli", ku Anglia ndeshej me Holandën në miqësoren e parë pas largimit të Fabio Kapelos. Stjuart Pirs nuk ka patur në dispozicion një pjesë të mirë të yjeve të skuadrës dhe si rrjedhim, ka pësuar një humbje 2-3. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë.

Roben e Huntelar realizuan në minutat 57' dhe 59', ndërsa në 5 minutat e fundit, Geri Kehill dhe Eshli Jang barazuan gjithçka. Por, në kohën shtesë ishte sërish Roben, që realizoi golin e fitores. Ndërkohë, ka fituar edhe Rusia, që mundi 2-0 në transfertë Danimarkën.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›