Miqesoret e luksit Gjermani-Brazil Itali-Spanje
Gjermania dhe Brazili do të përballen sot në mbrëmje në Shtutgard në një miqësore prestigji që mbart brenda saj 8 kupa bote.
Mediat e dy vendeve nuk kanë nguruar ta cilësojnë atë si shfaqjen e futbollit botëror, ku skuadrat do të kërkojnë të tregojnë forcën e tyre.Gjithsesi, i gjithë presioni bie mbi Brazilin dhe trajnerin Mano Menezes. Pesë herë kampionët e botës vijnë në këtë sfidë pas dështimit në Kupën e Amerikës, i cili u shoqërua me shumë kritika në drejtim të tij.
Përballja me Gjermaninë është një mundësi e mirë e brazilianëve për të marrë revanshin ndaj kryqëzimit mediatik, ndërsa Menezes do të mbështetet sërish te lojtarët e rinj me të cilët luajti në turneun më të rëndësishëm të futbollit amerikano-jugor.
Një objektiv aspak i lehtë për “Selecao”, që përballë do të ketë skuadrën e Joachim Loeë. “Panzerat” gjermanë vijnë në këtë sfidë pas një ecurie pozitive edhe pse skuadra është rinovuar krejtësisht.
Përpara tifozerisë së saj Gjermania kërkon të fitojë ndeshjen e parë kundër Brazilit që nga viti i largët 1993, por kjo nuk e pengon Loeë të vazhdojë projektin e tij me të lojtarët e rinj. Tekniku gjerman ka grumbulluar për këtë ndeshje 19 vjecarin Mario Goetze, i cili për herë të parë pritet të niset si titullar.
Një tjetër miqësore luksi është ajo që do të luhet në Bari mes Italisë dhe Spanjës. E rinovuar krejtësisht pas dështimit total në Botërorin 2010, skuadra e drejtuar nga Cesare Prandelli kërkon të afirmohet sërish si superfuqi e futbollit botëror dhe një fitore kundër kampionëve të botës në fuqi është ajo që i duhet të kaltërve.
Prandelli pritet ti besojë sulmin dyshes Kasano- Rosi, të cilët do të kenë dhe detyrën më të vështirë për t’i shënuar Spanjës, që në këtë sfidë vjen me shumë mungesa. Del Bosque duhet të bëjë pa Xavi, Sergio Ramos dhe Fabregas.
Nertan Prifti