E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqesorja e fundit Shqiperi-Mal i Zi ne Shkoder

Pa surpriza në formacion dhe në pritje për të mësuar të ardhmen në kombëtaren e Shqipërisë, trajneri Josip Kuzhe dhe skuadra kuqezi do të zbresë sot në orën 20:00 në “Loro Borici”, të Shkodrës, për ndeshjen kundër Malit të Zi.

Kjo është miqësorja e fundit për përfaqësuesen shqiptare në prag të sfidave zyrtare kundër Francës dhe Luksemburgut, ndërsa për teknikun kroat ky takim shihet si një test I vërtetë force në prag të përballjeve të shtatorit, vendimtare për fatin e Shqipërisë në grupin D eliminator të Euro 2012, por edhe për të ardhmen e vetë trajnerit në përfundim të kontratës së tij.

Kuzhe u ul në stolin e skuadrës kuqezi në majin e vitit 2009, ndërsa që nga ajo kohë ka drejtuar për 19 ndeshje kombëtaren shqiptare duke regjistruar 7 fitore, 6 barazime dhe 6 humbje. Një bilanc pozitiv që kroati kërkon ta thellojë më tej deri në fund të eliminatoreve, një objektiv, që e detyron atë të mbështetet sërish te lojtarët më me eksperiencë, duke filluar nga miqësorja e sotme kundër Malit të Zi.

Ashtu sic kishte premtuar edhe në seancën e fundit stërvitore të kombëtares shqiptare, Kuzhe ka testuar skuadrën me dy sulmues, ku Salihi dhe Bogdani do të jenë pikat e referimit në repartin ofensiv.

Nuk ka surpriza në repartet e tjera. Beqaj në portë, ndërsa përpara tij në mbrojtje do të rreshtohen Cana, Curri, Dallku dhe Vangjeli. Lala dhe Bulku do të vendosen në qendër të mesfushës me Agollin në krahun e majtë.

Dyshimi i vetëm i Kuzhes ka të bëje me krahun e majtë të mesfushës, ku në balotazh për një vend titullari janë Bakaj dhe Muzaka. Shqipëria dhe Mali i Zi përballen për herë të tretë në histori, ndërsa ndeshja e fundit e luajtur vitin e shkuar e luajtur në Podgoricë u fitua, 1-0, nga skuadra shqiptare me golin e Hamdi Salihit.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›