E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ne veri Westerwelle ben thirrje per dialog

Autoritetet e rendit në Mitrovicë, thonë se situata e sigurisë në Veri të vendit është e qetë dhe nën kontroll të forcave të sigurisë, por sërish e tensionuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se situata është e qetë. Ai ka thënë po ashtu se nuk është raportuar për ndonjë incident edhe pse rrugët që çojnë në drejtim të disa vendkalimeve kufitare, vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Barrikada që ishte vendosur në Leposaviç, në rrugën që çon në drejtim të pikës kufitare Jarinje, është hequr mbrëmë në orët e vona.  

Kryetari paralel i komunës së Leposaviçit, Branko Niniç ka thënë se me largimin e barrikadave në këtë komunë është duke u zbatuar marrëveshja e përkohshme e arritur mes përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe KFOR-it.

Në anën tjetër, barrikadat e vendosura në Rudare afër Zveçanit dhe Zupçit  në Zubin Potok, kanë mbetur deri në një të ardhme të pacaktuar.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, nisur nga zhvillimet e fundit  të konfliktit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, i ka bërë thirrje të dyja vendeve që të tregohen të gatshme për zhvillimin e bisedimeve.

"Ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve dhe kjo rrugë është dialogu", tha ai të martën në Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi.

Vendeve të Ballkanit ai iu drejtua me fjalët se rruga për në Bashkimin Europian udhëhiqet para së gjithash nga reformat. Të enjten Westerwelle do të qëndrojë në Kosovë ku është planifikuar një takim me komandantin e trupës së KFOR-it, gjeneralin Erhard Bühler dhe autoritetet kosovare.  

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›