E Diel, 1 Nëntor 2026

Miqesorja me Argjentinen Kuzhe pak mundesi zgjedhjesh

E privuar nga titullarët dhe me një skuadër krejtësisht të re, kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë sot në orën 23:15 në stadiumin “Monumental” të Buenos Aires për t’u përballur në miqësoren historike kundër Argjentinës. Problemet me grumbullimin e lojtarëve dhe mungesa e emrave më të rëndësishëm të skuadrës kuqezi e kanë vendosur trajnerin Josip Kuzhe përballë frikës për një humbje tenistike.

Trajneri kroat ka marrë përsipër këtë risk, ndërsa përpara ndeshjes është fokusuar vetëm te rëndësia e një miqësoreje të tillë, e cila do të vlejë shumë në procesin e rinovimit të përfaqësueses. Me shumë lojtarë që luajnë në Superligë, Kuzhe nuk ka shumë opsione sa i përket formacionit, ndërsa do të hedhë në fushë një skuadër që për 90 minuta duhet të përballet me furinë e një superfuqie të futbollit botëror, të udhëhequr nga lojtari më i mirë i momentit Lionel Mesi. Kuzhe i ka të pakta zgjedhjet, ndërsa nga minuta e parë pritet t’i besojë modulit 4-2-3-1.

Një siguri më shumë për skuadrën kuqezi vjen nga porta, ku Arjan Beqaj është nga të paktët futbollistë të rëndësishëm që ka pranuar të udhëtojë drejt kryeqytetit argjentinas. Në mbrojtje Vangjeli dhe Lila duhet të mbajnë peshën më të madhe në mbrojtje bashkë me Vrapin dhe Veliun debutues. Bulku dhe Gilman Lika do të kenë një tjetër detyrë të vështirë në mesin e fushës, ndërsa Muzaka, Huka dhe Bakaj do të mbështesin Kapllanin të vetëm në repartin ofensiv.

Me këtë skuadër, Kuzhe kërkon të marrë një rezultat pozitiv në miqësoren historike kundër Argjentinës, ose në rastin më të keq të minimizojë sa më shumë disfatën e mundshme në këtë sfidë.

Nertan Prifti  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›