Miqte rrefejne cfare ka mbetur nga i famshmi Kadriovski

Politikës së turbullt shqiptare këto ditë iu shtua edhe turbullira që shkaktoi emri i Daut Kadriovskit (Mehmet Hajdini), e për të cilin në faqet e internetit gjenden të dhëna nga më kontradiktoret.
Këto të dhëna varen nga qëllimi i publikimit të tyre, kështu që në faqet e internetit të kontrolluara nga qarqet serbe do publikohen të dhëna për lidhjet e tij me shumë figura të njohura politike shqiptare si nga Kosova, po ashtu edhe nga Shqipëria.
Në të vërtetë bëhet fjalë për një shqiptar nga Maqedonia, i cili ka lindur në fshatin Crni Vrv, në afërsi të Shkupit, në vitin 1948. Për shumë kohë është njohur si një nga trafikantët më të fuqishëm europianë të drogës, arsye për të cilën ka qenë një ndër personat më të kërkuar nga policitë e shumë shteteve të botës. Ai u arrestua disa herë, por gjithmonë ia dilte që t’i shpëtonte qelisë së burgut. Herën e fundit u arrestua në vitin 2001, në Golem të Durrësit, nga edhe në nëntor të po atij viti u ekstradua në Itali. Nga burgu italian ai përfundoi në atë të Idrizovës, në vendlindjen e tij.
Për Daut Kadriovskin e sotëm thuhet se jeton në një lagje të Shkupit. Miqtë e afërt thonë se vitet e fundit atij i ka mbetur vetëm një shok dhe një lidhje që nuk e ka tradhtuar e që i bën të mundur të lidhë të kaluarën me të sotmen e vet – alkooli. Prandaj, ata edhe dyshojnë që ai të ketë ndonjë lidhje me CD-në që arriti në Tiranë si kërcënim për të kaluarën e disa politikanëve.
Miq të afërt të familjes Kadriovski rrëfejnë se Dauti sot merret vetëm me një veprimtari: me rikujtimin e së kaluarës së vet, por të mbuluar me mjegullën e alkoolit. Si i tillë, thonë ata, nuk është shumë e vështirë ta bësh atë të flasë për njerëzit që i ka njohur. Pastaj, shtojnë ata që janë shoqëruar kohëve të fundit me Dautin, pas daljes së tij nga burgu i Idrizovës, për të nuk është interesuar askush dhe ky njeri është lëshuar në mllefin e vet ndaj njerëzve që e kanë harruar dhe me të cilët dikur ka pasur miqësi.
Sa i përket CD-së aq të përfolur ditëve të fundit nga mediat shqiptare, nga ata që e njohin dhe kanë kontaktuar me Dautin, askush nuk beson që ai të ketë gisht. Të afërm me familjen Kadriovski thonë se njerëzit e tij kanë hallin si ta mjekojnë e ta shpëtojnë nga krizat psikike dhe alkooli, e jo si ta shkëpusin nga veprimtaria e tij e dikurshme, me të cilën tani nuk ka kurrfarë lidhjeje. Kjo është kuptuar, ndoshta, edhe nga qarqet policore të botës, të cilat nuk e shqetësojnë më këtë plak që përditshmërinë e vet e kalon me gotë në dorë. Nuk është se ai sot nuk rrëfen për miqtë e dikurshëm, si për ata nga sfera e politikës, po ashtu edhe të tjerë nga sfera e kulturës, të cilët dikur i ka ndihmuar edhe financiarisht.
Nëse janë të sakta burimet e gazetës “Shqip”, se Daut Kadriovski sot është një plak të cilin e ka mbingarkuar pesha e së kaluarës dhe ajo e alkoolit, atëherë me shumë bindje mund të thuhet se emri i tij po përdoret nga ata që e dinë se Dauti i sotëm nuk ka asnjë mundësi të reagojë për manipulimet që bëhen me emrin e tij. Prandaj, ndoshta ka të drejtë një njohës i Daut Kadriovskit, i cili thotë se, e tillë siç është politika shqiptare dhe të tillë siç janë politikanët shqiptarë, atë politikë mund ta turbullojë kushdo qoftë, dhe ata politikanë janë të gatshëm të keqpërdorin cilindo, vetëm për të shkatërruar kundërshtarin.
Kështu që, shton ai, nuk është e çuditshme pse tani keqpërdorin edhe njeriun i cili dikur kishte para dhe ka mundur të depërtojë deri në qarqet më të larta të elitave tona, e sot ka vetëm kujtimet për ato kohë, si edhe shokun e vetëm të mbetur besnik -alkoolin.
Por sido që të jetë, ndërkohë duhet konstatuar një e vërtetë: përderisa politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup ndërtohet mbi baza të dosjeve e CD-ve, atë mund ta turbullojë e ta përshkallëzojë drejt së keqes cilido i dehur apo esëll, që mjafton të thotë diçka që do i shkojë për shtat njërës apo tjetrës parti politike. Mbase për këtë arsye politikat shqiptare ngjajnë me biografitë e alkoolikëve kronikë: kanë të tanishme të dehur, e cila ushqehet me të kaluarën e politikanëve të sotëm.