Gjykata e Lezhes liroi ne shtator Bushin
Astrit Bushi është liruar nga Gjykata e Lezhës në shtator të këtij viti. Pas kërkesës për dënim alternativ, mësohet se ka qenë prokurori ai që ka kërkuar ta kalojë pjesën tjetër të dënimit në “arrest shtëpie”, dhe nuk e ka ulur një masë të tillë gjykata. Mësohet se bashkëshortja e tij ishte ankuar pranë drejtësisë, pasi kishte mësuar për shërbimin e provës dhe dënimin alternativ dhe kërkonte lirimin e burrit të saj, duke e motivuar me faktin se nuk kishte mundësi të mbante fëmijën e saj. Në këto kushte është hapur një proces në Lezhë. Prokurori, i cili përfaqësonte akuzën për këtë çështje, kur ka lexuar pretendimet e tij është shprehur se, Astrit Bushi duhej të lihej në arrest shtëpie për pjesën e mbetur të dënimit për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se prej vitesh ai hetohet për vrasjen e një polici të FNSH-së në Laç, si dhe kërkohet me ngulm nga drejtësia spanjolle. Në këto kushte, gjykata ka dhënë një vendim për masën e kërkuar nga vetë prokurori. Astrit Bushi u kap më 11 dhjetor, në qendër të Laçit. Sipas të dhënave, ai sapo kishte dalë nga shtëpia, kur u përball me tri makina civile të RENEA-s, të cilët e vunë në pranga. Ai ka tentuar të largohet me mjetin e tij, por është neutralizuar. Gjatë arrestimit iu gjet edhe një armë.