Mira Meksi, çmim nga Mbreti i Spanjës

Shkrimtarja, përkthyesja dhe botuesja Mira Meksi ka marrë nga mbreti i Spanjës “Urdhrin e meritës civile”, një vlerësim për personalitete spanjolle dhe të huaja, që kontribuojnë në zhvillimin e dialogut kulturor, në këtë rast mes Spanjës dhe Shqipërisë.
Titulli i lartë “Comendadora” i akorduar nga Mbreti i Spanjës, Juan Carlos i Parë, iu dorëzua shkrimtares Meksi nga ambasadori spanjoll në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, vetë botuesja, e ka cilësuar këtë një vlerësim për punën e saj 25 vjeçare në përkthimin e librave spanjollë në gjuhën shqipe, si dhe studimit dhe promovimit të kësaj kulture.
“Ky nuk është një vlerësim tërësisht personal, pasi të njëjtin titull kanë marrë edhe pesë shkrimtarë të tjerë, emra eminentë. Kjo do të thotë se kultura shqiptare vlerësohet sot si e barabartë mes të barabartëve dhe përmes saj ne kemi hyrë ose më mirë rihyrë në Europë më përpara sesa politikisht”, ka thënë Meksi gjatë ceremonisë së çmimit.
Mira Meksi ka përkthyer nga gjuha e huaj në shqip autorë si Dumas, M. Yourcenar, M. Duras, Baudelaire, Lamartine, Rimbaud. Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato, Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo Atxaga etj.