Shqipëria po kurdis ndeshje?

Fitorja e Kombëtares shqiptare ndaj Malit të Zi në miqësore dhe humbja e befasishme nga Luksemburgu, në kualifikimet për Euro 2012, nuk kanë mbetur pa u përfolur. Këto dy ndeshje mund të jenë në listën e gjerë të hetimeve që po bën UEFA për manipulimet e rezultateve, ngase kuotat nëpër bastore në këto takime ishin të pazakonshme.
E përditshmja rumune‘Sportsilutor’ shkruan se ekzistojnë fakte që në ndeshjen Luksemburg-Shqipëri (2-1) janë futur shuma të mëdha parash, që e kanë favorizuar Luksemburgun për fitore, edhe pse koeficienti i saj ishte mjaft i madh, me kuotën 7.
Kjo nuk ishte e tëra. E përditshmja e njohur italiane Gazzetta dello Sport’ ka shkruar se miqësorja e 10 gushtit në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e luajtur në Shkodër dhe e fituar nga Kuqezinjtë 3:2, mund të ishte e trukuar.
“Për ta paralajmëruar këtë fenomen, FIFA kishte dhënë alarmin për ndeshjet miqësore të mesit të gushtit. Ndeshja e dyshimtë për kurdisje është miqësorja në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, 3:2. Në fillim të takimit dhe me kalimin e minutave, rezultati ishte mbërthyer në shifrat 0:0, koeficienti për fitoren e Shqipërisë pësoi rënie të pandërprerë. Po ashtu dhe koeficienti i shumës së golave (3+). Dhe në fund, rezultati përfundimtar 3:2 u dha të drejtë atyre që luajtën të fitonin shuma të mëdha në baste”, shkruan kjo e përditshme italiane.
Malazezët po udhëhiqnin 2:1 në këtë duel, ndërsa në pjesën e dytë shqiptarët e kthyen rezultatin në 3:2. Edhe kjo përmbysje e rezultatit mund të konsiderohet e dyshimtë. Thuhet se në këtë kurdisje kanë qenë të përfshira të dyja palët. Sidoqoftë, këto për momentin mbeten vetëm spekulime. Por, nëse UEFA gjen fakte për këto kurdisje të mundshme, atëherë Shqipëria dhe Mali i Zi e Luksemburgu mund ta pësojnë keq.