E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqyteti, disa orë pa energji, OSSH-ja justifikim remontet



Nënstacioni i Selitës lë disa zona pa energji në Tiranë

Ndërprerje të energjisë edhe në zona që s’kanë lidhje me remontin

Zhurma e gjeneratorëve është rikthyer në kryeqytet prej disa ditëve. Për disa orë rresht energjia elektrike ndërpritet dhe njësitë tregtare, lokalet për të mbajtur aktivitetin në funksion, janë të detyruar të përdorin gjeneratorët për të siguruar energjinë elektrike. Në fakt, energjia ka nisur të kufizohet në Tiranë orëve të pasdites më së shumti, menjëherë pas lajmërimit të OST-së se do të kryhen punime në linjat kryesore të transmetimit të energjisë, të cilat u dëmtuan javën e kaluar nga moti i keq që përfshiu vendin. Sipas deklarimeve të drejtuesve të OST-së, u tha se për një periudhë 2-javore ndërprerjet e energjisë do të bëhen nga ora 18:00 deri në orën 20:00, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë vendin dhe kryesisht në zonat verilindore. Por këto ndërprerje në qytetin e Tiranës janë kryer edhe jashtë këtyre orareve. Kufizime të energjisë ka pasur edhe gjatë orëve të paradites në shumë zona dhe për më tepër nuk janë bërë lajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike. Siç duket, këto ndërprerje janë bërë nga OSSH-ja pa pasur rakordime me OST-në, për të kursyer energjinë elektrike, duke u nisur nga fakti se në ditët e festave konsumi është rritur tej parashikimeve. Qytetarët shprehin indinjatën e tyre për mungesën e energjisë elektrike, pasi tashmë situata hidrike premton për një furnizim të pandërprerë me energji. Reshjet e ditëve të fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet ne hidrocentralet e Fierzës dhe Vaut të Dejës, duke rritur kështu mundësinë për të shtuar prodhimin e energjisë në vend. Nga ana tjetër, vetë drejtuesit e OSSH-së kanë deklaruar se për 3 muajt e parë të vitit kanë siguruar sasinë e nevojshme të energjisë që do të merret nga importi. Siç duket, treguesit janë në kahun e OSSH-së për sa i përket sigurimit të energjisë, por gjithsesi ndërprerjet vazhdojnë të jenë shqetësuese për qytetarët. Hera-herës, drejtuesit e OSSH-së kanë justifikuar ndërprerjet e energjisë me ndërhyrjet që bëhen në rrjet për të bërë remont, ashtu siç u bë edhe gjatë muajve të verës. E njëjta gjë ka ndodhur dhe dje kur OSSH-ja lajmëroi se do të ketë kufizime të energjisë për shkak të punimeve që po kryhen në transformatorin e nënstacionit elektrik të Selitës. Për pasojë, disa zona patën ndërprerje të energjisë. Burime nga OSSH-ja thanë dje se po vazhdon puna edhe ditën e sotme për vendosjen e një transformatori të ri 10 kV në nënstacionin e Selitës, në Tiranë, i cili do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike të zonës juglindore të kryeqytetit. Burime zyrtare të OSSH-së kishin lajmëruar se për vënien në punë të këtij transformatori do të punohej dhe do kishte ndërprerje të energjisë elektrike nga ora 10:00-16:00 në ish-NPV, zona e Parkut dhe blloku "Vasil Shanto" në kryeqytet. Ky transformator pritet të vihet në punë ditën e hënë, ndërkohë që brigadat e riparimit të avarive po punojnë edhe për disa defekte të ndodhura në zonën e Yzberishtit dhe Selitës. OSSH-ja po investon për fuqizimin e nënstacionit me fondet e veta shumën prej 12 milionë lekësh. Përmes këtij investimi rritet kapaciteti i nënstacionit të Selitës, pasi do të ketë 4 transformatorë me një fuqi totale të instaluar prej 120 megavat, çka do të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në pjesën juglindore të kryeqytetit, si në zonën e Selitës, "Rrugën e Elbasanit", rrugën "1 Maji", Sauk etj. Punimet për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Selitës nisën në fillim të muajit nëntor 2008. Por disa zona të tjera në kryeqytet që nuk furnizohen me energji nga nënstacioni i Selitës tek i cili punohej dje, patën dje kufizime për disa orë. Kështu, në zonën e “21 Dhjetorit” dhe në zonën e ish-Fushës së Aviacionit nga ora 14:30 deri në orën 18:00 ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›