E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Presidenti pret ish-pronarët

12/01/2009  Shoqata “Pronësi me Drejtësi” i kthen sytë nga kryetari i shtetit pas zhgënjimit nga Qeveria

Shqetësimi për zvarritjen e procesit të kthimit dhe kompensimit të tokës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i është përgjigjur kërkesës së shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për t’i dëgjuar rreth shqetësimit të tyre mbi ecurinë e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës në Shqipëri. Kreu i shtetit shqiptar do të presë përfaqësuesit e kësaj shoqate paraditen e sotme në Pallatin e Brigadave, ku gjatë takimit me ta do të njihet me pretendimet dhe kërkesat e tyre. Ish-pronarët që duhen të zhgënjyer nga Qeveria shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështjeje i kanë kthyer sytë nga Presidenti Topi. Aplikimi i procesit të legalizimit të zonave informate nga shteti dhe ngecja e procesit të kompensimit fizik dhe financiar i ish-pronarëve, pritet të jetë shqetësimi kryesor i shoqatës në fjalë. Përpjekjet e Qeverisë shqiptare duke marrë disa vendime dhe hartuar projektligje të ndryshme për të kënaqur interesat e kategorisë së ish-pronarëve, duket se nuk e kanë bërë efektin e tyre pozitiv. Ish-pronarët kanë deklaruar vazhdimisht rezerva edhe për sa i takon numrit të vogël të përfituesve gjatë një viti nga kompensimi monetar, ndërkohë që numri i dosjeve gjatë një viti që depozitohen pranë AKKP-së për të përfituar kompensim është me qindra. Për kompensim financiar për vitin që sapo lamë pas, buxheti i shtetit ka parashikuar një fond prej 500 milionë lekësh. Pikërisht përgjegjësia që i takon shtetit shqiptar për të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke trajtuar me një standard kategoritë e qytetarëve, është një nga shqetësimet kryesore të “Pronësi me Drejtësi”. Në referimin e tyre para numrit një të shtetit shqiptar, përfaqësuesit e kësaj shoqate do t’i referohen edhe reformës për pronën, bërë gjatë kohës së Zogut. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, atij që i është marrë toka i është paguar ajo nga zaptuesi. Kjo nuk ndodh në kohën e sotme, sa herë që qeveritë e ndryshme shqiptare janë përpjekur të realizojnë reforma të tilla mbi tokën. Nga ana tjetër për llogari të fondit të kompensimit financiar të ish-pronarëve, në mbledhjen e saj të fundit Qeveria miratoi një vendim që parashikon nisjen e procedurave paraprake nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për tjetërsimin e sipërfaqeve të tokës që kanë cilësi të veçantë, por që janë në pronësi të pronarëve të ndërtimeve. Ndërsa këto vite shteti shqiptar është përpjekur dhe ka kompensuar disa ish-pronarë financiarisht për pronat e tyre që ua ka zaptuar një pronar i ri, apo vetë shteti, kompensimi fizik nuk është realizuar ende. Aktualisht me nismë të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2008 Qeveria miratoi dhe ka nisur nga zbatimi i një ligji që parashikon riverifikimin e titujve të pronësisë, me qëllim që pronën ta gëzojë atij që i takon në mënyrë ligjore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›