E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirakaj: Deri tani 11 mijë ish-të përndjekur kanë marrë dëmshpërblimin

18/10/2011  Kreu i ish-të përndjekurve politikë shprehet i kënaqur me ecurinë e procesit

Drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, u shpreh i kënaqur dje për gazetën “Metropol” me ecurinë e dëmshpërblimeve të shtresës së ish-të dënuarve politikë. Megjithëse pranon se ka peripeci burokratike në këtë proces, Mirakaj shprehet se dëmshpërblimi po ecën me ritmet e parashikuara. “Sa i përket dëmshpërblimit, duhet theksuar se deri tani qeveria ka bërë maksimumin e mundshëm në kompensimin e atyre që u pushkatuan, u dënuan dhe u internuan nga regjimi i atëhershëm. Së pari, qeveria ka shpërndarë këstin e parë për 11 mijë ish-të përndjekur. Së dyti, ka nisur kësti i dytë i dëmshpërblimeve për mbi 3500 persona, ndërkohë është në përfundim procesi i shpërndarjes së dëmshpërblimit për rreth 400 ish-të përndjekur, të cilët aktualisht janë mbi moshën 85-vjeçare”, - theksoi Mirakaj. Ndërsa më pas konfirmoi se “brenda vitit 2012 të gjithë ish-të përndjekurit mbi moshën 85 vjeç që janë gjallë do të përfitojnë të gjithë shumën e mbetur nga këstet, të cilat ishin parashikuar të shpërndaheshin në një afat kohor prej tetë vjetësh. Ndërsa në lidhje me protestën e djeshme para Kryeministrisë të ish-të përndjekurve të drejtuar nga Besim Ndregjoni, Mirakaj theksoi se “Çdokush ka të drejtë të protestojë dhe të zhvillojë manifestime, pasi të pakënaqur ka gjithmonë. Gjatë këtyre viteve qeveria ka qenë maksimalisht e angazhuar ndaj zgjidhjes së çështjes sonë. Mund të përmendim nismën e qeverisë me Institutin për arsimimin e fëmijëve të ish-të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Gjithashtu një mbështetje e fortë është treguar në integrimin dhe punësimin e këtyre shtresave në institucionet shtetërore”, - tha Mirakaj.

Dëmshpërblimi

“Deri tani është shpërndarë kësti i parë për 11 mijë ish-të përndjekur. Së dyti, ka nisur kësti i dytë i dëmshpërblimeve për mbi 3500 persona, ndërkohë është në përfundim procesi i shpërndarjes së dëmshpërblimit për rreth 400 ish-të përndjekur, të cilët aktualisht janë mbi moshën 85-vjeçare”, - konfirmoi Simon Mirakaj.

Ligji

Ligji parashikon që ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politikë do të përfitojnë 2 mijë lekë për çdo ditë burg, ndërsa ata që kanë qenë të internuar ose të rrethuar në tela me gjemba nga viti 1944 deri në vitin 1954 do të përfitojnë nga 1 mijë lekë për çdo ditë burgim. Përfitues janë ish-të dënuarit politikë të periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1.10.1991 si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara gjatë periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1 tetor 1991.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›