E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët: Merreni me seriozitet çështjen e pronës në Shqipëri

18/10/2011  Thirrje Topallit dhe Berishës: Progresraporti i BE-së na penalizoi për këtë çështje

SHKODER- Nënkryetari i degës së shoqatës së pronarëve të vjetër në Shkodër, “Pronësi me drejtësi”, Zija Halluni, i bën thirrje Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, që të merret me seriozitet zgjidhja e problemit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas Hallunit, kjo çështje është ngritur disa herë nga shoqata e pronarëve që e shihte jo vetëm si e drejtë legjitime për pronarët, por edhe si një nga arsyet që do ta pengonte Shqipërinë për të marrë statusin kandidat në BE, çka u vërejt dhe në progres raportin e pak ditëve më parë. Nënkryetari i shoqatës së pronarëve Shkodër, Halluni, shprehet gjithashtu se prona duhet t’i kthehet pronarit edhe për arsye se Shqipëria po penalizohet me shuma të mëdha parash nga Gjykata e Strasburgut, shuma që qeveria shqiptare nuk mundet t’i japë. Halluni shprehet gjithashtu se qeveria nuk do të ketë mundësi as për kompensimin e pronarëve për pronat që po legalizohen, pasi shuma që po merr për këtë proces është e papërfillshme. “Duke paguar një shumë aq të vogël për legalizimin, që janë shuma mikroskopike, nuk mund të ketë para shteti shqiptar për të paguar pronarin. Pa kthimin e pronës nuk mund të shkojmë në familjen e madhe evropiane. Shteti shqiptar nuk do të mundet të realizojë kompensimin në para të pronave dhe penalitete nga Gjykata e Strasburgut. Vetëm për dy pronarë vijnë penalizimet për shtetin shqiptar me mbi 7 milionë euro”, thekson nënkryetari i shoqatës së pronarëve Shkodër, Zija Halluni, që i ribën thirrje qeverisë dhe kryeparlamentares Topalli që të respektojnë pronën e të fillojnë sa më parë procedurat për pronat, sipas rekomandimeve të Evropës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›