E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miranda Haxhia “Muzgjet” që nuk bëhen natë

Befasia që mund t’i shkaktojë romani i parë i Miranda Haxhia, “Gruaja në muzg”, dikujt që nuk ka lexuar më parë poezinë dhe prozën e saj të shkurtër, nuk përjashton as ata që njohin dhe janë miqësuar me poezinë dhe gjinitë e shkurtra të tregimtarisë së saj. Megjithëse në katër vëllimet e saj me tregime mund të hetohen mundësi për projekte më ambicioze artistike, romani “Gruaja në muzg” gjithsesi nuk dukej i paralajmëruar.

Maturimi dhe zotërimi i lëndës dhe kodeve të ndërtimit të veprës, tekstura dhe struktura komplekse, kapacitetet narrative dhe ndjeshmëria gjuhësore, poetika e pashmangshme dhe funksionale, janë disa nga vlerat që sigurojnë suksesin e heshtur të romanit, i cili i siguron autores jo vetëm një vend krejt të veçantë në letërsinë e autorësisë femërore, por ç’është më tepër, vetë Miranda Haxhia, gati e shpërfill këtë dasi vlerash, që në rastin më të mirë krijon një inflacion letrar të bazuar mbi “gendër”

Metafora qendrore e sorollatjes nëpër muzgun që nuk arrin të bëhet natë, është një nga kodet bazë të strukturimit të romanit. Është i njëjti muzg gruaje, të krijuar prej asaj vetë, si një masë vetëmbrojtjeje dhe vetëflijimi njëkohësisht, që autorja e shpështjell për të zbuluar anët e thella të qenies njerëzore dhe njëherësh cektësirat e mjedisit që e rrethon. Një muzg që herë ngjan si rekuiem, herë si sonatë, herë si oratorium dhe herë si fugë fërgëllimash të tejzagjatura. Gjërat duket sikur nga njëra anë rrahin “dhunshëm” të gjenden në një mikrokaos dhe lëvizje vrullshme pa kah, një lëvizje që duke dashur të kapërcejë qenien, mbetet pezull, si një muzg që në pezullinë e tij të mundimshme, nuk arrin të bëhet natë. Në grafikën kontrastuese të dritës paraprake dhe terrinës pasardhëse të muzgut njerëzor, në këtë optikë disi opake, lexohet më lehtas drama e Kora. D, tragjedia e saj që riciklon shpresën, dashurinë, e cila është prerja e qenies dhe ekzistencës së një gruaje, kushti i lirisë, sado të dhunshme. Kumti se dashuria është thjesht liri, dhe kësisoj liria ia vlen një çmim, përfaqëson një nga leximet e rëndësishme të romanit. Muzgu si metaforë e fuzionit të dritës me terrin, si një status dritëhijesh, metaforë e cila tenton të ngrihet gjer në nivelin e filozofisë njerëzore, përmes një poetike të përpiktë dhe të paanshme si dhe përpjekjes për të dekoduar jetë njerëzore të pasura me domethënie të munguara. E gjithë kjo reduktohet në thelbin e qenies njerëzore se liria fillon tek përpjekja për të qenë i lirë më së pari nga vetja, si kusht për t’i kontribuar lirisë së të tjerëve. E gjithë kjo i jep veprës dimensionin e një projekti njerëzor, realizuar artistikisht gjer në indet e shprehësisë dhe fjalës, e cila tenton të kthehet në një organizëm të gjallë, siç do të thoshte Burrougs.

Mbyllja në vetvete (olizmi) i Kora D. më shumë është një hapje pavetore e mbivetore, një lëvizje e mundimshme për të përshkruar një “via crucis”, rrugën e mundimshme nga vetja tek vetja. Bile edhe vetmia është dëshmi e pranisë së të tjerëve. “Vetmitë nuk janë armiqësore. Ato shkërmoqen e bëhen pluhur në gishta. E ti përpiqesh t’i duash gjithmonë, sikur të qenë smeralde të shkëputura nga një gjerdan i bukur, pa e kuptuar se më shumë kjo lloj vetmie i ngjason hijes që lënë gurët e çmuar... në trupin e një femre”. T’i humbësh të gjithë në kërkim të dashurisë, nuk është se renditesh me të humburit. Të mbetesh përherë në kërkim të dashurisë, ke arritur më shumë se kërkon prej vetes. Kjo është gjithçka që qerthullohet në mikrokozmosin e personazheve të romanit “Gruaja në muzg” të Miranda Haxhisë. Por jo vetëm kaq. Romani të ofron edhe një lexim paralel, të themi. Një mundësi për të ballafaquar dhe verifikuar përjetimet dhe meditimet e personazheve të romanit në përvojën e secilit, çka do të thotë se gjërat e përditshme nuk janë aq të përditshme e të zakonshme sa duken, se pikërisht përditësia jonë e lodhshme është po aq universale, sa nuk arrijmë ta perceptojmë, veçse përmes një parashtrimi të paanshëm artistik. Një nga veçoritë e modernitetit letrar është shkëputja e tekstit nga subjekti, që e kthen veprën në një organizëm si dhe pavarësia e kodeve nga mesazhet. Në romanin e Miranda Haxhisë dallojmë varësinë e subjektit nga teksti, përmes një strukture tekstore të larmishme. Është teksti që dikton subjektin e veprës, janë format e leximit që hijesojnë mesazhet. Në një shikim më të gjerë, ky raport përfaqëson një nga dallimet kryesore midis shkrimtarisë dhe joshkrimtarisë, po të përdorim termat e Umberto Ekos. Dhe këta të fundit, jo vetëm në letërsinë tonë janë më të suksesshmit dhe natyrisht më në modë, falë edhe fuqisë klonuese të mediumeve. Rasti i romanit “Gruaja në muzg” me gjithë suksesin “e heshtur” të tij, është një shans për një raport të ri e të konsoliduar vlerash në letrat shqiptare, ku iluzioni dhe inflacioni i vlerave kanë ende një terren të konsiderueshëm.

Lexuesi e ka të lehtë të prekë membranën të butë e delikate të qenies femërore, me vërtetësinë dhe pohimin e feminitetit, të përjetojë dramën e qenieve të dyzuara e që për këtë shkak ndjehen të kthyera në objekte përdorimi, të perceptojë kimitë dhe alkimitë e dashurisë njerëzore, ëndrrën si një realitet i pakundërshtueshëm dhe si një mundësi për të tejkaluar realitetin. Sikurse mund të ndiejë nën membranën e butë të mikrokozmosit femëror, reagimin njerëzor, hera-herë të dhunshëm, klithmën e dëshpërimit dhe riciklimin e dashurisë gjer në kufijtë e një përfytyrimi kozmik. “...Kuptoi se dashuritë lindin dhe vdesin për t’u jetuar secila nga e para. Asnjëra nuk ngjante me tjetrën. Si të ishin banorë të planetëve të ndryshëm”.

Miranda Haxhia u takon atyre shkrimtarëve që duket se ka arritur suksesin me romanin e parë. Mund të kishim sjellë këtu shembuj nga letërsia jonë dhe më gjerë. Por ajo që mund të thuhet është se duke lexuar romanin “Gruaja në muzg”, assesi nuk ke përshtypjen se ke të bësh me romanin e parë, por me romanin e radhës të një autoreje me përvojë. Për më tepër duket që romani është shkruar me një frymë dhe me lehtësinë e frymës. Kjo vetëm si përshtypje e parë, e cila më shumë buron nga siguria me të cilën autorja vjen para lexuesit, siguri dhe lehtësi e cila jam i bindur që ka ardhur pas një sërë vështirësish dhe pasigurish me të cilën shkrimtari përballohet gjatë procesit krijues.

Shkrimtari përballohet me sfida në çdo hap të procesit krijues. Së pari, ai duhet të përballojë lirinë e tij. Dhe kjo liri nuk është kaq e lirë për t’u sfiduar. Nuk jam i sigurt nëse Hajdegeri thotë se vepra letra është “liri e dhunshme” Po sidoqoftë, ky pohim është disi më afër asaj për të cilën po flasim. Vepra letrare është sfidë nga laboratori i krijuesit gjer tek auditori i lexuesve. Miranda Haxhia vjen para lexuesit me vetëdijen e një shkrimtareje që i pëlqen sfida.

Ilir Kerni për të festuar në Opera

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, në kuadër të festave të fundvitit, ka përcaktuar një kalendar të ngjeshur me aktivitete artistike.

Zhani Ciko, drejtori i TKOB, tha se “festimet e festës tradicionale të Vitit të Ri kanë lidhje organike me kremtimin e 55-vjetorit të jubileut të këtij teatri, i cili gjatë këtij viti solli disa premiera në skenë”.

Ai tha se në prag të festave të fundvitit, teatri do të prezantohet me një premierë koreografike siç është baleti “Kopelia”, që do të vihet në skenë nga koreografi dhe balerini i mirënjohur Ilir Kerni, nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja.

"Ata po punojnë intensivisht për ta dhënë këtë premierë në datën 22 dhjetor dhe gjatë ditëve të festave", - tha ai duke shtuar se "Kopelia" është një nga veprat më brilante koreografike të periudhës të romanticizmit, e cila vjen me skenografi të kroates Viesna Vagner". Ciko tha se në mbrëmjen e Krishtlindjeve në TKOB do të kremtohet 15-vjetori i korit “Pax Day”, me dirigjente mjeshtren Suzana Turku, një premierë që do të sjellë një program të pasur të këtij formacioni të rëndësishëm koral.

Sipas Cikos, tashmë është bërë tradicionale dhe “Balloja e Madhe e Operas”, gjatë së cilës spektatorit elitar i krijohet mundësia të jetë në të njëjtën kohë pjesë e këtij vallëzimi të madh që mbyll vitin 2008.

"Në këtë ballo do të ketë mjaft surpriza, të ftuar dhe një mënyrë organizimi që i ngjason një stili vjenez, nga e cila është marrë dhe ideja e kësaj mbrëmjeje, që do të shfaqet në 30 dhjetor", - tha Ciko.

“Trupa e TKOB, kori, orkestra simfonike dhe solistë të ndryshëm do të interpretojnë pjesë nga krijimtaria e autorëve vjenezë Johan Shtraus, Eduard Shtraus, si dhe të Çajkovskit, Verdit etj. Ky aktivitet do të drejtohet nga dirigjenti Jetmir Barbullushi, i cili për herë të parë drejton një shfaqje të tillë”, - sqaroi Ciko.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›