E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekstradimi; Dy të kërkuar i dorëzohen drejtësisë shqiptare

Dy persona u ekstraduan nga zyra e Interpol Tiranës ditën e djeshme dhe iu dorëzuan Drejtorisë së Burgjeve, pasi ishin dënuar nga drejtësia shqiptare. Nga Italia iu dorëzua autoriteteve Selman Lika, i cili është autori i vrasjes së dy personave në vitin 1998. Ndërsa nga Athina u soll Mihal Shkëmbi, i dënuar nga Gjykata e Korçës për rrëmbim personi. Pas dënimit nga gjykata, të dy këta persona kishin arritur që t’i shmangeshin arrestimit nga ana e policisë. Por ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe pas bashkëpunimit të bërë midis Interpol-Tiranës me atë të Romës dhe Athinës, u arrit që ata të gjendeshin dhe më pas të arrestoheshin, duke u ekstraduar në Shqipëri. Të dy personat iu dorëzuan Drejtorisë së Burgjeve, ku më pas u shoqëruar për në qeli, për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Selman Lika nga Shkodra u dënua me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e dy personave. Vendimi u dha nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 17.05.2000, që e ka dënuar 65-vjeçarin me 25 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vrasjes me dashje (dy herë)” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në vitin 1998, në lagjen “Likaj” të fshatit Bushat, në rrethin e Shkodrës, Lika ka vrarë me armë zjarri shtetasit shqiptarë Tofik Lika dhe Abdulla Lika, si dhe ka plagosur shtetasit Dritan Lika e Bledar Lika. Ngjarja ka ndodhur gjatë një grindjeje të filluar për shkak të një konflikti pronësie.

Ndërsa Mihal Shkëmbi u dënua nga Gjykata e Rrethit të Pogradecit me masën “arrest me burg”, pasi akuzohet se ka rrëmbyer një grua me fëmijën e saj, në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Shkëmbi akuzohej për kryerjen e veprës penale të “rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit, në bashkëpunim”. Më datë 11.09.2007, subjekti i ekstradimit shtetasi Mihal Shkëmbi, në bashkëpunim me shtetasin Adriatik Zenullari dhe një person të tretë të paidentifikuar, tek agjencia e furgonave të Pogradec, kanë rrëmbyer shtetasen Th.M., së bashku me fëmijën e saj të mitur, duke i mbyllur në një shtëpi në fshatin Drenovë të Korçës, pronë e të ekstraduarit.

E dëmtuara së bashku me fëmijën kanë arritur të largohen më pas, duke zbritur nga ballkoni me anë të një çarçafi. Të dy të kërkuarit iu dorëzuan punonjësve të Drejtorisë të Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin e Rinasit, ku u shoqëruan më pas në ambientet e burgut, për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›