E Shtunë, 31 Tetor 2026

Scheffer, Berishës: Anëtarësimi, jo dhuratë, por shpërblim



Jap de Hoop Scheffer, njeriu që i komunikoi Shqipërisë vendimin për t’u bërë anëtare në NATO vetëm 34 ditë më parë, nuk ngurroi t’i pohonte dje Kryeministrit Sali Berisha se anëtarësimi nuk ishte dhuratë, por shpërblim i punës së përkryer të qeverisë që ai drejton.

I mrekulluar gjithmonë nga entuziazmi, miqësia dhe mikpritja shqiptare sa herë që ka vizituar Shqipërinë përgjatë këtyre 5 viteve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jap de Hoop Scheffer, erdhi dje sërish, por tashmë në momentin kur Shqipëria është bërë anëtare e Atlantikut të Veriut. Njeriu që i komunikoi Shqipërisë vendimin për t’u bërë anëtare në NATO vetëm 34 ditë më parë, nuk ngurroi t’i pohonte Kryeministrit Sali Berisha se anëtarësimi nuk ishte dhuratë, por shpërblim i punës së përkryer të qeverisë që ai drejton. Ndaj, dhe Tirana zyrtare mirëpriti dje një nga përkrahësit më të fortë të zgjerimit të NATO-s, me të gjitha nderimet që i takojnë një personaliteti të tillë si z. Scheffer, duke i shprehur mirënjohjen për përkrahjen e anëtarësimit në NATO përmes urdhrit të lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe titullit “Doktor Honoris Causa”. I mallëngjyer nga gjesti shqiptar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vuri në dukje se anëtarësimi ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe ndonjëherë të ndërlikuara, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur. “Vërtet, cilësi të ngjashme kërkohen për të arritur përsosmërinë akademike dhe ndërsa studentët përgatiten të shohin drejt së ardhmes së tyre, tashmë ata kanë mundësi të shohin përpara me besim dhe krenari, rezultatet e arritjeve domethënëse të vendit të tyre. Disa rrugë të reja hapen për punësimin e tyre si zyrtarë të NATO-s dhe kushedi, ndonjë ditë ndonjë i diplomuar nga ky universitet do të ketë privilegjin të jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s”, - theksoi z. Scheffer. Në fund të mandatit si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, z. Scheffer u shpreh i bindur se reformat e vendit do të vazhdojnë dhe se Shqipëria do të vazhdojë të jetë zëri i arsyes dhe moderimit në rajonin e Ballkanit. Nga ana e tij, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se më 28 qershor shqiptarët do të mund të realizojnë zgjedhjet më të lira në të gjithë historinë e tyre. "Zgjedhjet e ardhshme kërkojnë përpjekjet për një kuadër ligjor dhe teknik, më të mirin që ne kemi pasur ndonjëherë. Unë ia premtova këtë z. Scheffer dhe qëllim mbetet respektimi i vullnetit të qytetarëve shqiptare", - u shpreh z. Berisha. Kryeministri gjatë takimit me z. Scheffer e informoi për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik, më të mirin që ka pasur ndonjëherë vendi dhe për përkushtimin total të qeverisë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Berisha konfirmoi se me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, diskutoi për marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n, gjendjen në rajon dhe ndër të tjera, për zgjedhjet e ardhshme. “E informova z. Scheffer për të gjitha përpjekjet e qeverisë për një kuadër ligjor dhe teknik më të mirin që ka pasur ndonjëherë vendi dhe përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, nderimin e vullnetit të tyre, por dhe nderimin dhe vlerësimin e të gjithë atyre që votëbesuan Shqipërinë për anëtare të NATO-s. Edhe një herë, zoti Sekretar i Përgjithshëm dua t’ju falënderoj me respektin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë, për të gjithë mbështetjen që i dhatë vendit tim që të realizojë një projekt ëndërr për shqiptarët”, - u shpreh z. Berisha. Në këtë vizitë lamtumire si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, z. Scheffer erdhi dje në Shqipëri me ftesë të ministrit tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, për të përshëndetur punimet e mbledhjes së ministrave të jashtëm të Kartës A5. Në këtë takim Shqipëria dhe SHBA u shprehën pro zgjerimit të Kartës së Adriatikut edhe me dy vende të tjera. Kryeministri Berisha vuri në dukje se ky grupim duhet të ketë jo 5, por tanimë 7 anëtare e ku duhet të ftohen edhe Kosova, edhe Serbia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›