E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti shqiptar para dhe pas ’90-ës, në Itali

 

Veprat më përfaqësuese të artit pamor shqiptar, para dhe pas vitit 1990 udhëtojnë drejt Italisë. Galeria Kombëtare e Arteve dhe Fondacioni për Kulturën “Genova Palazzo Ducale” me qendër në Xhenova të Italisë si dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor ‘Villa Croce’ në Xhenova organizojnë së bashku ekspozitën e artit “COSI VICINA COSI LONTANA”, që hapet në ambientet e këtij të fundit, duke filluar nga data 13 nëntor për publikun. Kjo ekspozitë që vjen në kuadrin e përvjetorit të rënies së murit të Berlinit dhe është një bashkëpunim i rëndësishëm institucional i Galerisë Kombëtare (dhe një projekt i propozuar nga kjo e fundit) me muzetë jashtë vendit do të sjellë një koncept ekspozues që synon vënien përballë njëra-tjetrës të dy periudhave historike (para dhe pas vitit 1990) të ilustruara nga vepra artistike të prodhuara respektivisht në të dy periudhat. Ekspozita e kuruar nga Matteo Fochessati, Rubens Shima dhe Sandra Solimano është konceptuar si një dikotomi që synon të eksplorojë marrëdhëniet mes qëndrimeve të ndryshme apo dhe të ngjashme që vihen re në artin shqiptar të së dyja periudhave. Vënia përballë njëra-tjetrës që do të reflektohet edhe në vendosjen e veprave në muzeun “Villa Croce” ka si qëllim studimin e thyerjeve apo vazhdimësive që shfaqen në artin tonë pamor duke bërë në të njëjtën kohë një pasqyrim të gjerë te historisë dhe të ndryshimeve në Shqipëri. Në këtë funksion ekspozita do të theksojë një sërë nën-temash si “Puna”, “Komunikimi”, “Qyteti”, “Femra”, “Propaganda”, “Imazhi i Pushtetit”, “Artisti”, etj. Ekspozita përfshin vepra në pikturë dhe skulpturë të fondit të Galerisë Kombëtare, të prodhuara në vitet ‘70-‘80 dhe nga vepra të artistëve bashkëkohorë në pikturë, fotografi, video dhe asemblazh të prodhuara kryesisht pas vitit 2000. Artistët pjesëmarrës janë: Kujtim Buza, Çlirim Ceka, Perikli Çuli, Myrteza Fushekati, Gentian Gjikopulli, Alban Hajdinaj, Oriana Kamberi, Shpëtim Kërçova, Vilson Kilica, Idlir Koka, Xhemal Lufta, Elsa Martini, Pandi Mele, Aristotel Papa, Alvas Papandili, Heldi Pema, Suela Qoshja, Bukurosh Sejdini, Agim Shami, Sali Shijaku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Alajdin Tabaku, Lekë Tasi, Eltjon Valle, Dritan Zeneli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›