E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deçan, kryeministri Thaçi sulmohet me gurë pas tubimit

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është sulmuar me gurë nga persona të paidentifikuar në Deçan, sapo ka dalë nga tubimi elektoral i PDK-së në sallën e Shtëpisë së Kulturës në këtë qytet. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat kosovare, të cilat shtojnë se janë dëgjuar edhe të shtëna, pikërisht në momentin që kundër Thaçit dhe eskortës së tij ka pasur goditje të rrufeshme me gurë. Ngjarja, e cila nuk ka raportim të detajuar nga burimet zyrtare, është më e rënda e regjistruar në fushatën zgjedhore në Kosovë, e cila është karakterizuar nga një frymë e qetë me termat e zakonshëm të konkurrencës elektorale mes kandidatëve deri më tani. Truprojat e kryeministrit kanë ndërhyrë në kohë dhe e kanë mbrojtur kryeministrin deri tek makina e tij, e cila bashkë me makina të tjera të eskortës thuhet se është dëmtuar nga goditjet e gurëve. Forca të policisë e kanë shoqëruar me sirena kryeministrin deri në të dalë të qytetit të Deçanit, ku më pas ai është nisur për në Gjakovë për të kryer edhe tubimin e fundit të fushatës zgjedhore për liderët lokalë të Partisë Demokratike të Kosovës të cilën ai e drejton, sipas informacioneve nga televizioni shtetëror i Kosovës, RTK. Ndërsa media të tjera raportojnë se makinat e Thaçit janë nisur drejt Prishtinës. Komuna e Deçanit aktualisht udhëhiqet nga AAK. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Avni Xhevukaj nuk ka përjashtuar mundësinë e sulmit ndaj eskortës së Thaçit, megjithëse nuk ka mundur ta konfirmojë këtë. “Sigurisht se gjitha këto telefonata që po i marr, diçka ka ndodhë, por çka ka ndodhë nuk e di. Duhet të bisedojmë me policë që kanë qenë në terren, t’i marrim informatat dhe t’i plotësojmë ato”, ka thënë Xhevukaj për “Express”.                      

Doris Pack, vëzhguese në Kosovë

Eurodeputetja gjermane, Doris Pack, së bashku me një grup parlamentarësh evropianë do të vëzhgojë zgjedhjet lokale që mbahen të dielën në Kosovë. Pack, në një intervistë për “Radio Kosova”, tha se shpresonte që këto zgjedhje do të mbahen të qeta, të lira dhe demokratike. “Është me shumë rëndësi që këto zgjedhje të mbahen të qeta dhe të zhvillohen sipas rregullave demokratike. Do të ishte veçanërisht me rëndësi që në këto zgjedhje të dalin qytetarët serbë të Kosovës, sepse ata janë qytetarë të barabartë. Nëse duan të jetojnë në Kosovë dhe nëse mendojnë të ardhmen e vet, të fëmijëve dhe familjeve të tyre, qytetarët serbë duhet të dalin në këto zgjedhje dhe të bashkëpunojnë me institucionet e vendit”, tha Pack duke u bërë thirrje serbëve të dalin në zgjedhje. Pack sqaroi se: “Normalisht eurodeputetët nuk i vëzhgojnë zgjedhjet lokale në asnjë vend. Ky është një përjashtim për të cilin jam angazhuar unë, sepse mendoj se këto zgjedhje përveç tjerash kanë rëndësi edhe për shkak të decentralizmit që fillon me komunat e reja. Jemi të interesuar të përcjellim Kosovën në rrugën e saj të demokratizimit. Ky vëzhgim i zgjedhjeve që do ta bëjmë, më shumë është një aksion i vullnetit të mirë që duam të tregojmë për Kosovën”, theksoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›