E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja zgjedh liderët e rinj më 19 nëntor

 

Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeldt, i cili kryeson procesin për emërimin e presidentit të BE-së, në intervistën dhënë “Financial Times”, zbuloi se vendimi do të merret të enjten e ardhshme, gjatë takimit të presidentëve dhe të kryeministrave të 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel. “Presidenti i parë i BE-së do të zgjidhet më 19 nëntor dhe pothuajse me siguri se ai do të jetë një ish apo kryesues aktual i një qeverie”, deklaroi Reinfeldt. Presidenca është një prej dy funksioneve të reja të larta të unionit, të cilat BE-ja i ka krijuar, për të ushtruar në mënyrë më efektive ndikimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe për të përmirësuar procedurat politike. Funksioni tjetër është ai i përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, i cili do të ketë kompetenca të shtuara. Pas refuzimit të ministrit të Jashtëm britanik, David Miliband, i cili synon kryeministrinë e vendit të tij, një kandidaturë e fortë për ministrin e Jashtëm të Evropës është Massimo D’Alema. Ndërsa si kandidat i fuqishëm për funksionin e presidencës mbetet kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, i cili ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të mbuluar këtë funksion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›