Hapet sot Panairi i Librit
Edicioni i 12-të i Panairit të Librit “Tirana 2009”, ngre sot siparin në Pallatin e Kongreseve. Në një hapësirë ekspozuese prej 2 mijë metrash katrorë, më shumë se 80 shtëpi botuese, shpërndarës të librave dhe institute të huaja, që veprojnë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, do të ofrojnë në këtë edicion, botimet e një viti, por edhe titujt e rinj që do të prezantojnë gjatë ditëve të këtij panairi. Çdo ditë do të ketë aktivitete, promovime e takime me shkrimtarë. Sipas Shoqatës së Botuesve, që organizon këtë panair, mësojmë se në këtë edicion do të ekspozohen rreth 40.000 ekzemplarë, prej të cilëve 1200 janë tituj të rinj. Të pranishëm në stendat e shtëpive botuese do të jenë edhe shumë autorë librash, të cilët do të firmosin veprat e tyre dhe do të komunikojnë me lexuesin. Ashtu si edhe në vitet e tjera edhe këtë herë do të ndahen çmimet e panairit. Ditën e diel, në hollin e Pallatit të Kongreseve do të organizohet ceremonia e ndarjes së çmimeve, rezervuar për shkrimtarin, përkthyesin, botuesin dhe performancën më të mirë në këtë edicion. Hyrja në panair do të jetë e lirë për të gjithë vizitorët.