E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen në Greqi 3 emigrantë

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Policia kufitare shqiptare dhe ajo e Kosturit të Greqisë u vunë në alarm pas sinjalit SOS të tri familjeve nga Librazhdi për fatin e fëmijëve të tyre, që ishin nisur si emigrantë ilegalë drejt shtetit helen. Aventura e tre të rinjve Genci Nogu, Petrit Cepi dhe Shkëlqim Xhepi, 18 deri 25 vjeç nisi mëngjesin e së martës. Por fatmirësisht, me gjithë alarmin e shkaktuar, ata mundën të arrinin në destinacion, ndonëse me shumë vonesë për shkak të motit të keq. Mësohet se të rinjtë ishin nisur mëngjesin e së martës drejt Korçës me qëllim për t’u futur ilegalisht në Greqi si emigrantë ekonomikë. Njëri prej tyre e njihte vijën e kufirit, ndaj duke iu shmangur patrullave të Policisë Kufitare, përmes një shtegu të njohur afër fshatit të Kapshticës, vazhduan udhëtimin drejt vijës së kufirit. Gjatë rrugës, herë pas here tre të rinjtë kanë kontaktuar familjarët, duke i vënë në dijeni për ecurinë e udhëtimit klandestin. Pasi kishte kaluar një orë, udhëtimi i tyre është vështirësuar nga reshjet e shiut dhe të dëborës, si dhe temperaturat gjithnjë e më të ulëta. Deri në mesnatë tre emigrantët kanë udhëtuar pa u ndalur, por më pas moti i keq i gjeti në vështirësi në mes të një mali. Të ndodhur në këtë situatë ata kontaktuan familjarët, të cilët i informuan se po vazhdonin të ecnin, por nuk ishin të sigurt nëse ishte rruga e duhur. Por disa orë më pas u bllokuan në zonën malore mes vendit tonë dhe qytetit të Kosturit. Kaq ka mjaftuar që familjarët e tyre të kërkojnë ndihmë te Policia Kufitare e Korçës për shpëtimin e djemve. Rreth orës 04:00 të ditës së djeshme patrulla të Policisë Kufitare shqiptare, veçanërisht ato të sektorit të shërbimeve operative, kontrolluan shtigjet e njohura përmes të cilave tentohet të kalohet në Greqi. Pas tre orë kërkimesh, gjatë të cilave nuk u gjet asnjë gjurmë, u konkludua se emigrantët ose kishin hyrë në tokën greke ose do të ishin kthyer pas. Komanda e repartit të Policisë Kufitare shqiptare komunikoi me komandën homologe greke duke u kërkuar ndihmë. Por as grekët nuk arritën të gjejnë ndonjë shenjë për tre të rinjtë. Mësohet se djemtë nga Librazhdi do t’i priste babai i Gencit, Ismail Nogu, i cili është emigrant në Greqi. Ai, tejet i shqetësuar, priste me ankth mbërritjen e tyre. Pas vonesës së tyre ai kishte vendosur kontakt edhe me policinë greke, prej nga nuk kishte marrë asnjë lajm. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, përmes celularit Nogu u lajmërua nga bashkatdhetarë të tij në qytetin e Kosturit, se djali dhe dy shokët e tij, kishin hyrë në Greqi. Ata kishin kërkuar ndihmën e emigrantëve shqiptare për të mos u kapur nga policia greke. Lajmin e gëzuar Nogu ia transmetoi menjëherë familjarëve e këta të fundit policisë. Për policinë shqiptare e rëndësishme është që ata janë shëndoshë e mirë, ndërsa pala greke do të bëjë riatdhesimin nëse bie në kontakt me ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›