E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i buxhetit, priten debate të forta në Këshillin Bashkiak

23/02/2009  Durrës, pas largimit të disa këshilltarëve socialistë drejt LSI-së, Dako mund të marrë refuzimin

DURRES- Buxheti i bashkisë së Durrësit për vitin 2009 ka shumë të mundur që të mos marrë shumicën e numrit të kartonëve për aprovim. Pas vërejtjeve të pritshme të bëra objekt debati në grupin e këshilltarëve të djathtë, e majta do të ketë edhe disa kartonë të pritshëm më pak. Zhvillimet e fundit politike në Durrës ka të mundur të shtyjnë socialistët e Këshillit Bashkiak si dhe aleatët e tyre të kërkojnë një kryetar të ri grupi. Deri më tani e majta është orientuar në cilësinë e kreut të grupit nga Genci Alizoti. Por ky i fundit është thënë publikisht se ka braktisur socialistët duke iu bashkëngjitur LSI-së. Së paku të hënën Alizoti duhet të shprehet para këshilltarëve të së majtës lidhur me prononcimin publik të Ilir Metës, i cili ka thënë në Durrës se pas Lefter Kokës (ish-kreu i bashkisë para Vangjush Dakos) dhe Astrit Kote (ish-shefi i organizimit dhe marrëdhënieve me publikun) është rreshtuar edhe Genc Alizoti. Por edhe këtë herë Dako nuk ka gjasa ta kalojë me të parën projektbuxhetin. Kjo është dukur në refuzimin që i ka bërë e djathta takimeve të bashkisë me komunitetin. Në takime të tilla të zhvilluara formalisht kanë munguar në mënyrë të qëllimtë të gjithë këshilltarët e PD dhe aleatët e tyre si dhe kryetari i qarkut e prefekti. E djathta ende nuk ka paraqitur së paku me shkrim asnjë vërejtje, por kjo nuk përjashton ndezjen e debateve nesër në diskutimin e projektbuxhetit, të cilat pritet të mbërthejnë për orë të tëra këshilltarët. Projektbuxheti i Bashkisë së Durrësit për vitin 2009 është parashikuar të jetë 1.3 miliardë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›