Miratimi i njëanshëm… nuk është ndonjë çudi
Miratimi i njëanshëm i ligjit për pastërtinë e figurave nga ana e mazhorancës së djathtë është bashkëshoqëruar me një polarizim të paarsyeshëm të debatit rreth kësaj çështjeje. Ligje të tilla në të shumtën e rasteve kalojnë të imponuara nga njëra palë, pasi pala tjetër e sheh veten në konflikt interesi me objektin e ligjit, dhe natyrshëm do të gjejë të gjitha format e nevojshme për t’iu shmangur votimit. Por ky ligj është kundërshtuar fort edhe nga segmente të tjera të shoqërisë dhe nga faktori ndërkombëtar. Kjo e ka çoroditur disi opinionin publik dhe përpjekja është që ky moment të lexohet si një çast i një kërcitjeje të madhe mes mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Kjo është një përrallë e treguar keqazi! Bota demokratike është e mbushur me kufizime të përkohshme të drejtash, njëanshmëri, mospërputhje qëndrimesh, perceptime të ndryshme të realiteteve, tek e fundit pluraliteti i ideve është në themel të sistemit. Ndërkombëtarët kanë të drejtë të kenë e artikulojnë qëndrimet e tyre për çështje të ndryshme, por mesazhi duhet shoqëruar me argumentim. Në këtë rast kemi të bëjmë vetëm me një paralajmërim të tipit “ka probleme kushtetutshmërie”. Kontestuesit e këtij ligji duhet të kishin sqaruar publikisht se çfarë do të thotë ka probleme kushtetutshmërie. E vetmja pikë që na bie ndërmend, është fakti i përjashtimit nga mundësia e kryerjes së funksioneve të larta shtetërore të personave që janë subjekt i këtij ligji. Të gjithë mendojnë për këtë, por askush nuk e thotë. Edi Rama ofron verbalisht bashkëpunim, por nuk thotë se në çfarë pikash do të bashkëpunojë! A pranon Partia Socialiste që këta persona të përfshirë keqazi me sistemin komunist të privohen nga detyrat e rëndësishme në administratën publike? Pak e vështirë për t’u besuar! Miqtë tanë ndërkombëtarë nukse kanë thënë ndonjë gjë më shumë sesa në një demokraci nuk duhet përjashtuar askush nga e drejta për të marrë pjesë në përcaktimin e të ardhmes së vendit. E drejtë! Por kush është përjashtuar? Bashkëpunëtorëve të sistemit komunist nuk po u mohohet e drejta e jetës, e drejta e votës, e drejta e mundësive të barabarta në një shoqëri të lirë. Ata po jetojnë të lirë për shkak të tolerancës të fituesve të betejës, ndërsa ata ishin në kampin tjetër. Cilën kolonë të sistemit demokratik prek ky ligj? Miqtë ndërkombëtarë do të bënin mirë ta sqaronin. Çfarë pikëpyetjesh, ligjore, qeverisëse, dhe kushtetuese ngre ky ligj? Kufizimi i përkohshëm me ligj i një të drejte është një praktikë që gjendet me shumicë në botën demokratike, kufizimi përtej ligjit është despotizëm. Ky ligj nuk bën asgjë më shumë sesa shton një tjetër kriter përkundrejt kritereve të tjera për t’u emëruar në një post të rëndësishëm në administratën dhe institucionet e vendit. Përkrah kritereve të moshës, kualifikimit dhe kritereve specifike për pozicione specifike, shtohet edhe një kriter tjetër: ai i pastërtisë së figurës në raport me sistemin kriminal komunist. Ky ligj nuk ngre asnjë lloj pikëpyetjeje në raport me substancën e sistemit; nuk tenton të ndryshojë rregullat e lojës; nuk ndryshon procedurat apo kompetencat ndërmjet pushteteve apo brenda pushteteve; nuk favorizon një grup përkundrejt një grupi tjetër; nuk forcon Kryeministrin në raport me pushtetet e tjera. Nuk është normale të themi se sistemi i drejtësisë mbijetuaka për shkak të disa individëve që i kanë duart ende me gjak nga koha e diktaturës më të ashpër në Evropë. Sistemi i drejtësisë nuk janë këto persona, por institucionet dhe ato nuk cenohen aspak nga ky ligj. Dramatizimi i këtij problemi, më shumë se me këto pikëpyetje, mund të lidhet me tronditjen e një establishmenti të tërë që kontrollon, me sa duket, fatet e jetës sonë të përditshme. Miqtë tanë ndërkombëtarë mund të dyshojnë në qëllimet e Kryeministrit, por edhe sikur ato qëllime të jenë të mbrapshta, vendi ka të gjitha mekanizmat që ato t’i konvertojë në rezultate pozitive për shoqërinë. Personalisht, nuk më interesojnë aspak qëllimet e Kryeministrit, e vetmja brengë që më mundon është se si shumë herë të tjera do të tërhiqet nga pozicioni më i drejtë që ka pasur ndonjëherë në karrierën e tij politike.