E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?



Titulli i këtij edicioni të çmimit “Onufri” vjen nga një modifikim i vargut të parë të një poezie shumë të njohur të Gëtes: “Kennst du das Land wo die Zitronen bluehn?” (A dini vendin ku lulëzojnë limonët). Limonët e versionit origjinal janë zëvendësuar me një tjetër lloj vegjetacioni: “paradokset”. Një lloj i ri dhe antik, po të kujtojmë etimologjinë greke të termit: një argument që bie ndesh (para) me opinionin e zakonshëm (doxa). Paradoksi është një përfundim i papranueshëm në dukje, por që në të vërtetë shfaqet në gjendje të hapë një tjetër njohuri mbi gjërat. Duket se kjo ‘pemë’ rritet goxha mirë në krejt zonën e Mesdheut, siç edhe i shkon për shtat origjinës së saj greke, dhe prandaj nuk kemi pse çuditemi nëse e gjejmë kaq të përhapur në Shqipëri, në “vendin ku nuk vdiset kurrë” (siç rrëfen libri i para ca viteve i Ornela Vorpsit), një vend megjithatë evropian, i cili është në rrugën e procedurave komplekse drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një komb evropian, historia e të cilit është karakterizuar nga elemente të theksuara izolimi si nga pjesa perëndimore ashtu dhe nga ajo lindore e kontinentit. Që prej vitit 1990, ky izolim ka nisur të shpërbëhet, hendeku të mbushet, dhe nuk ka cep të Tiranës ku të mos dallohen shenjat e këtij vullneti për të rifituar kohën e humbur, domethënë kohën e jetuar gjer në ‘90 në mënyrë rrënjësisht ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës. Tanimë, thjesht duke ecur rrugëve të kryeqytetit, mund të dallohen gjurmët e një kohe të përshpejtuar ndryshimi, përditësimi, integrimi/asimilimi, një kohë që ngjan sikur rrjedh mbi sipërfaqen e një kohe tjetër, një kohë kjo më e ngadaltë, më e thellë, me kundërshtì, një kohë me të tjera gjeste dhe me të tjera zakone. Ndoshta në asnjë vend tjetër si në Shqipëri, e sidomos në kryeqytetin e saj, funksioni i artit duket se është ai i një observatori të privilegjuar mbi pikat e takimit dhe të fërkimit midis këtyre dy rrymave të ndryshme të kohës. Rryma që ushqejnë lulëzimin e imazheve, të cilat mund të sintetizojnë me efikasitet aspektet paradoksale të aktualitetit shqiptar. Edicioni i fundit i “Onufrit” përqendrohet enkas mbi këto ‘vizione’ paradoksale, pasoja të perceptimit të kohëve dhe rrethanave të ndryshme të cilat takohen, përplasen dhe mbivendosen në përditshmërinë e jetës shqiptare. Enkas kjo ekspozitë përbëhet, përveç vetëm një të ftuari të huaj, vetëm nga artistë shqiptarë, duke hequr dorë nga ekspozita e zakonshme kolektive me prani dhe vepra prej vendeve të tjera, siç është bërë në edicionet e mëparshme. Kjo e ka një arsye: bëhet fjalë për artistë shqiptarë të një brezi të ri, të cilët ndërkohë janë formuar (dhe informuar) kulturalisht në Evropë, në akademi dhe universitete të huaja (ndër të cilat ato italiane) dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare të rëndësishme. Dhe është pra një gjeneratë artistësh e cila po përpiqet të jetojë sërish në atdheun e tyre apo të ripërshkojë rrugën jo të lehtë të rikthimit. Këtu ata dallohen ndoshta nga brezi i parë i artistëve shqiptarë, emrat e të cilëve janë tashmë të pranuar për cilësinë e tyre absolute në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, por që banojnë jashtë Shqipërisë.

Janë të pranishme në këtë ekspozitë punë nga Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Dritan Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha dhe Fani Zguro. Mediumet e përdorura janë të ndryshme: nga video, video-instalacioni, gjer te piktura dhe fotografia dhe ndonjëherë të bashkëpërdorura gjatë kërkimeve të të njëjtit artist. Hetimi i së përditshmes, në të gjitha aspektet e saj, është element që haset shpesh në shumë punë. Punë të shtresëzuara fort, me disa nivele leximi, të cilat shpalosin që të gjitha një ndjeshmëri të theksuar karshi aspekteve kontradiktore të rrethanave aktuale.

Vetëm një i ftuar ndërkombëtar, Bert Theis, me prejardhje luksemburgase, banues në Itali dhe pjesëmarrës me veprën “Suprematist platform”, qe ritrajton punën e Kazimir Maleviçit, e konceptuar posaçërisht për këtë edicion të “Onufrit”. Edhe eksperimentimet e avangardave historike të fillimeve të nëntëqindtës, përbëjnë një tjetër element kulturor shkëputje në krahasim me Evropën, duke qenë një element i modernes që mungon në historinë e artit shqiptar. Një element që sot në një refleksion më të përgjithshëm ndërkombëtar mbi natyrën e modernizmit, është e nevojshme dhe ndoshta e domosdoshme të rikonsiderohet.

*Kurator i konkursit kombëtar “Onufri 2008”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›