E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitja e agjencisë së udhëtimit, arrestohen dy nga autorët

Zbardhet grabitja e dy ditëve më parë në kryeqytet, ku punonjëses së një agjencie udhëtimi i ishin grabitur 67 mijë euro. Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy nga autorët, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tyre. Nga hetimet e para ka rezultuar se e përfshirë në ngjarje është edhe një punonjëse tjetër e agjencisë së grabitur, e cila ka informuar autorët për të gjitha lëvizjet e koleges së saj. Sipas burimeve zyrtare policore, në kuadër të operacionit policor “Mesdita”, i organizuar nga Strukturat për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, u arrit identifikimi i autorëve dhe dokumentimi ligjor i një grabitje të një agjencie të udhëtimeve. Kështu, në sajë të një pune hetimore të organizuar dhe aplikimit të metodave speciale të hetimit, u arrit kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë i shtetasve Rodrik Malaj, 23 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë, i paproceduar më parë, si dhe Gerta Mezuraj, 21 vjeçe, lindur në Lezhë e banuese në Tiranë, punonjëse pranë agjencisë “Ar & Lo Travel”. Ndërkohë që, sipas burimeve, është bërë shpallja në kërkim policor edhe të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Gjatë ecurisë së hetimeve, u dokumentua tërësisht implikimi i shtetasve të sipërcituar, ku 23-vjeçari Rodrik Malaj i ka vjedhur me dhunë çantën, punonjëses së agjencisë së udhëtimeve “Ar & Lo Travel”, ku ka mundur të marrë sasinë e parave prej 67 mijë eurosh. Implikimi i shtetases Gerta Mezuraj në këtë vjedhje me dhunë, dyshohet se është arritur, duke bashkëpunuar me autorët dhe dhënë informacion, gjatë momenteve të lëvizjes së koleges së saj, për depozitimin e shumës së parave në bankë. Kjo vjedhje është realizuar dy ditë më parë në orën 15:00’ në rrugën “Abdyl Frashëri” në Tiranë, ku autorët dyshohet se në bashkëpunim me njëri - tjetrin, kanë mundur të posedojnë këtë shumë parash. Pas një pune intensive u arrit sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i valutës së grabitur dhe arrestimi në flagrancë i dy prej autorëve, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e bashkautorëve të tjerë, tashmë të identifikuar. Ndërkohë, vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me të gjitha strukturat e hetimit të krimit të policisë së Tiranës për të dokumentuar edhe të tjera vjedhje të realizuar nga ky grup kriminal. Njëherazi, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 139 dhe 25 të Kodit Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›