E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen edhe 8 kapituj të tjerë të përgjigjeve të Pyetësorit të BE-së



Kryeministri Berisha mblodhi dje Komitetin Ndërministror të Integrimit, ku u miratuan 8 kapituj të tjerë të Pyetësorit të BE-së. Kryeministri u shpreh gjatë fjalës së tij se ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për vendin, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni. “Mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - është shprehur Berisha. Kryeministri kërkoi që të adaptohet si kriter në dhënien e përgjigjeve edhe hartimi i tyre sa më i sintetizuar, çka do e bënte materialin të lexohet me kënaqësi. Kapitujt e miratuar dje lidhen me politikat e konkurrencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitet, statistika, shkenca dhe kërkimi, arsimi dhe kultura, si dhe politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes. Duke i konsideruar edhe si kapitujt më të rëndësishëm të Pyetësorit, kryeministri Berisha tha se ato përfshijnë 367 pyetje, në përgjigjet e të cilave kanë punuar 350 punonjës. “Puna është intensive dhe angazhimi është shumë i madh, por është e domosdoshme të jemi më përmbledhës, më sintetizues. Ministria e Integrimit, që e ndjek në mënyrë konstante, informon se po bëhet një punë shumë e madhe, po shkohet drejt finales, por ajo çka unë do t’u kërkoja është të shqyrtoni edhe një herë mundësinë e të qenit më të përmbledhur. Unë e kuptoj dëshirën tuaj për të qenë konsumues total në përgjigjet që jepni, çka është normale për të konsumuar tërësisht materien. Por, në rast se përcaktoni edhe këtë kriter, do të bëjmë që të tjerët ta lexojnë me kënaqësi. Nuk është se vëllimet nuk çojnë peshë, por statistikat dëshmojnë se nuk janë trilogjitë kryeveprat më të lexuara, edhe pse ato janë shkruar nga korifenjtë më të mëdhenj të letrave botërore”, - është shprehur Berisha. Kryeministri Berisha, pasi përgëzoi të gjithë ata të angazhuar në këtë proces, për seriozitetin me të cilin kanë punuar, theksoi se ky proces është jashtëzakonisht i dobishëm për vendin, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni. “Duhet të kemi parasysh se mbi këto përgjigje do të ndërtohet nga Komisioni Europian e tërë harta e rrugës së anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - tha kryeministri. Më tej, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri një paraqitje më të detajuar të 8 kapitujve në shqyrtim. Zonja Bregu informoi se deri tani janë shqyrtuar përgjigjet e 29 kapitujve të Pyetësorit të Komisionit Europian, ose 83 për qind të kapitujve, me një total prej 1480 përgjigjesh.

26 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›