Topalli i bën ftesë Ramës që ta ndjekë seancën parlamentare nga Kuvendi
Kryetarja e Kuvendit ka shpërndarë dje ftesa për ambasadorët e vendeve të BE-së në vendin tonë, për të ndjekur nga afër seancën e parë në të cilën mori pjesë opozita pas 6 muajsh. Midis këtyre ftesave, Topalli ka firmosur dje dhe një ftesë drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili nuk gëzon mandatin e deputetit dhe ftesa drejtuar tij ishte që ta mund të ndiqte nga lozhat seancën e parë të opozitës. Por duket se Rama nuk e ka konsideruar këtë ftesë, pasi nuk ishte i pranishëm gjatë seancës së djeshme parlamentare, e cila u ndoq me shumë vëmendje nga ambasadorët e BE-së në Shqipëri. Ndërsa Topalli, në fjalën hapëse të seancës, përshëndeti vendimin e opozitës për të thyer bojkotin dhe për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit. “Përshëndes përzemërsisht hyrjen në Kuvend të opozitës. Më vjen shumë mirë për vendimin që mori opozita për të ndërprerë bojkotin. Do të gjeni të gjitha hapësirat që i takon një opozite si çdo opozite tjetër në botë, bazuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit. Ndërsa te kryetarja e Kuvendit do të gjeni njeriun që di të përkushtohet ashtu siç ka qenë në opozitë për tetë vjet”, - është shprehur Topalli.
Betohen 64 deputetët e Partisë Socialiste
64 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kanë bërë dje betimin. Ka qenë kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila, në bazë të Rregullores së Kuvendit, ka lexuar përmbajtjen e tekstit të betimit të deputetit të shkruar në nenin 4 të Rregullores. Më pas ajo ka ftuar deputetët, secilin në emër, që të betohet. Në këtë mënyrë secili nga 64 deputetët e PS-së është ngritur në këmbë dhe është betuar duke thënë: “Betohem”. Në përfundim deputetët e PD-së duartrokitën për këtë veprim të kolegëve të tyre opozitarë.
26 Shkurt 2010