E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlaçek takim me Topin: Kroacia, mbështetje të pakursyer për integrimin e Shqipërisë Presidenti Topi gjatë takimit me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit çek, Miloslav Vlaçek

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë, Miloslav Vlaçek, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Duke shprehur vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Republikës së Çekisë, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen në partneritet të ngushtë, Kryetari i Shtetit shqiptar përmendi dhe vizitën e fundit të Presidentit çek në Tiranë, në tetor të vitit 2009. Më tej, duke folur për miqësinë tradicionale, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e thellimit të saj dhe në nivel parlamentar, nisur sidomos përvoja e Çekisë në integrimin në Bashkimin Evropian nëpërmjet konsultimeve në nivele të ndryshme dhe shkëmbimit të përvojës e bashkëpunimit, duke e konsideruar “dimensionin parlamentar si më të rëndësishmin në raportet mes dy vendeve”. Duke përmendur dhe aspiratën e të gjithë shqiptarëve për liberalizimin e vizave me vendet e BE-së, Kreu i Shtetit shprehu dëshirën për një vendim të shpejtë politik në përgjigje të përmbushjes me sukses të këtij procesi. Nga ana e tij, Vlaçek vlerësoi përparimet dhe arritjet e vendit tonë dhe siguroi për mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme të vendit të tij në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në familjen evropiane duke ofruar të gjithë përvojën pozitive çeke në proceset integruese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›