Miratohen ndryshime në ligjin Për shërbimin postar
Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Industrinë, miratoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për Shërbimin Postar në Republikën e Shqipërisë", që synojnë të përmirësojnë kriteret e licencimit individual dhe të përgjithshëm në shërbimin postar. Përfaqësuesja e zyrës juridike në (MPPTT) e pranishme në seancës e mbledhjes së këtij komisioni, tha se ndryshimet e propozuara në këtë ligj konsistojnë në forcimin e kritereve sipas standardeve ndërkombëtare për licencën individuale dhe licencën e përgjithshme në shërbimin postar.
Sipas saj, licencimi individual, nënkupton të drejtën që i jepet çdo subjekti juridik, vendas ose i huaj, që plotëson kërkesat e legjislacionit shqiptar për shërbimin bazë postar (përpunim dhe dorëzim i objekteve të thjeshta të postës së letrave të adresuara deri në 2 kg). Ndërsa licencim i përgjithshëm nënkupton të drejtën e ushtrimit të shërbimit bazë postar dhe atij të rezervuar ( dërgesa me peshë mbi 20 kg). "Ligji parashikon ministrin e PPTT të përcaktojë procedurat e dhënies së licencave, përmbajtjen e tyre, si dhe kushtet e modifikimit, pezullimit dhe revokimit të licencave, ka theksuar ajo. Ligji për shërbimin postar, rregullon veprimtarinë postare sipas standardeve evropiane, kushtet e kryerjes së shërbimeve postare, rolin e shtetit në aktivitetin e këtij sektori si dhe të drejtat dhe detyrat përkatëse të operatorëve dhe përdoruesve.