Miratohen ndryshimet në buxhet - shkurtohen shpenzimet operative, rritet fondi i investimeve

Parlamenti ka miratuar paketën e shkurtimeve të propozuar nga qeveria, ndërkohë që është vlerësuar programi i ruajtjes së investimeve publike, veçanërisht në rrugë, arsim e shëndetësi Miratohen në parim ndryshimet në buxhetin e vitit 2011 me 73 vota të deputetëve të mazhorancës. Këto ndryshime konsistojnë në shkurtimin e shpenzimeve në vlerën e 18.3 miliardë lekën dhe reduktimin e të ardhurave në vlerën e 14 miliardë lekë. Përmes këtyre fondeve që do të rezervohen, do të mundësohet rritja e pagave dhe e pensioneve. Gjithashtu, qeveria, vendosi të bëjë rishikimin e buxhetit të këtij viti, edhe në ndikimin e situatave financiare në vendet e tjera, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar në vendin tonë. Kjo i referohet mbajtjes së borxhit publik në nivelin e 57.9 për qind si dhe ruajtjen e deficitit buxhetor në masën 3.5 për qind. Ndërkaq, rritja ekonomike që është programuar në këtë draft të rishikuar, është 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Tashmë, pritet që buxheti i ndryshuar të kalojë nen për nen në seancën e radhës plenare. Efektet, për rritjen e pagave dhe të pensioneve, sipas ndërhyrjeve në ligjin e buxhetit 2011 do të nisin nga korriku. Shkurtimet e parashikuara në këtë p/buxhet suplementar nuk do të prekin prioritetet, që do të thotë investimet publike, por shpenzimet operative në të gjitha institucionet. Qeveria ka garantuar se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë. Rritja ekonomike pritet të jetë në shifrat 5%, ndërsa borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7%, ndërsa deficiti buxhetor do të jetë 3.5 %. Ashtu sikurse pritej, projektligji, kaloi dje në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita nuk ishte në sallë për shkak të bojkotit të nisur pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Gjithashtu, në seancë plenare u miratuan vetëm me votat e mazhorancën projektligji për ruajtjen e mjedisit, projektligji që do të çojë në ndryshimin e formulës së shitjes së INSIG si dhe projektligji për regjistrimin e popullsisë.
...