E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë shpall të "pafajshëm" Ilir Kumbaron

Gjykata e Lartë ka shpallur të "pafajshëm" Ilir Kumbaron, ish-shikasin e arrestuar në Londër, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Vendimi është dhënë dje pasdite nga Kolegji Panel i Gjykatës Supreme dhe pas shqyrtimit gjyqësor është pranuar kërkesa e avokatëve mbrojtjes që kërkonin shuarjen e masës së sigurisë të vendosur në vitin 2002 ndaj Kumbaros. Mbi këtë masë sigurie ai ishte arrestuar në Londër dhe ishte në pritje të ekstradimit në Shqipëri, pasi drejtësia britanike kishte pranuar kërkesën e palës shqiptare. Por, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, Kumbaro, rrezikon që të lirohet dhe të mos ekstradohet në Shqipëri. Avokatët e tij pritet që t‘u argumentojnë autoriteteve britanike se ndaj klientit të tyre nuk ka asnjë masë sigurie dhe si rrjedhim do të kërkojnë që të mos dërgohet në atdhe, ku po gjykohet bashkë me disa shikas të tjerë për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Kur dukej se sjellja e tij në Shqipëri ishte realizuar tashmë procedurat duket se do të ndiqen nga fillimi. Pala shqiptare do të luajë vetëm me deportimin e Kumbaros në Shqipëri, gjë e cila pritet të kundërshtohet me forcë nga njeriu kyç i cili ka dijeni se ku mund të jetë varrosur Remzi Hoxha, pas keqtrajtimeve në bazën e Vainit në Lezhë.

Kërkesa për liri
Pas shterimit të çdo mjeti ligjor në Angli, ku Kumbaro nuk dëshironte të ekstradohej në atdhe, avokatët e tij i kthyen sytë nga Shqipëria. Megjithëse personat e tjerë të pandehur gjykoheshin në gjendje të lirë dhe janë në disa poste të larta shtetërore, i vetmi person në masën e arrestit me burg ishte Kumbaro. Ai kundërshtoi këtë masë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, e cila e hodhi poshtë këtë kërkesë. Avokatët e apeluan vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi të rrëzojë pretendimin e avokatëve të Kumbaros. Për këtë arsye ata u drejtuan në Gjykatën e Lartë. Kërkesa u depozitua nga avokatët e familjes Kumbaro në Tiranë, që mbrojnë interesat e tij. Në kërkesë thuhet se "Gjykata e Lartë duhet të ndryshojë masën e sigurimit nga shtetasit Ilir Kumbaro". Në kërkesën për Gjykatën e Lartë, avokatët argumentojnë se ai po mbahet në burg me masën e sigurisë së lëshuar që më 12 shkurt të vitit 2003. Por, mbrojtja deklaron se meqë dosja është pushuar në vitin 2004, atëherë duhet që të ishte pushuar edhe masa e sigurisë. Ndërkohë, prokuroria këtë e ka argumentuar me faktin se masa e sigurisë së tij nuk është ekzekutuar asnjëherë, pasi ka qenë në kërkim. Më tej, ata argumentojnë se ndaj tre të pandehurve të tjerë është shuar masa e sigurisë, ndërkohë që ndaj klientit të tyre, kjo masë është ende në fuqi. "Theksojmë se kjo dosje është pushuar në vitin 2004 dhe me pushimin e dosjes automatikisht pushohet edhe masa e sigurisë", deklaronin avokatët, duke shtuar se për këtë arsye kërkojnë prishjen e masës së sigurisë.

Arrestimi
Kumbaro u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për rrëmbim të trefishtë. Pas largimit nga Shqipëria, në fund të vitit 1996, Ilir Kumbaro ka zgjedhur si vend fshehjeje kryeqytetin anglez, njësoj si shumë kolegë të tjerë të SHIK-ut. Por Kumbaro është treguar shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e identitetit që do të përdorte. Ish-oficeri i SHIK-ut, i arrestuar vitin e kaluar në Londër, gjatë 12 viteve fshehjeje në Angli, ka përdorur një sërë identitetesh të rreme. Kjo, për t‘i shpëtuar prangosjes pas shpalljes në kërkim në vitin 2000 nga Interpol-Tirana. Kumbaro kishte kërkuar azil pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe si shtetas kosovar. Por në dokumente, emri i përdorur nga ai ishte Shaqa Shatri. Po me këtë identitet, ai është paraqitur në gjykatë, gjatë seancës së parë gjyqësore të ekstradimit. Kumbaro, në mënyrë mjeshtërore, ka bindur autoritetet britanike se ai ishte shtetas çek që persekutohej në vendin e origjinës. Mospasja e shenjave të gishtërinjve ka qenë avantazhi i përdorur nga ish-kryespiuni shqiptar para autoriteteve britanike të emigracionit. Ministria e Brendshme, pa e ditur se Kumbaro ishte një prej shtetasve më të kërkuar shqiptarë nga Interpoli, e ka pranuar kërkesën për azil. Më 7 nëntor 1998, po kjo ministri i ka garantuar atij leje qëndrimi përgjithmonë në Britaninë e Madhe. Ndërsa tashmë ai rrezikon që të mos ekstradohet asnjëherë në atdhe, pas vendimit të Gjykatës Supreme në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›