E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet Ligji për vlerat e luftës, paralajmërohen protesta

(E plotësuar) Ka mjaftuar një takim i kryetarit të Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare dhe takimi i dy grupeve më të mëdha parlamentare PDK e LDK që deputetët të kthehen në sallë dhe ta rivotojnë amandamentin 17, për të cilin LDK-ja kishte dalë në mënyrë demonstrative nga seanca. Po ashtu, deputetët kanë miratuar edhe në tërësi Projektligjin për për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, të invalidëve, të veteranëve, të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të familjeve të tyre.

Seanca e Kuvendi u shty për më shumë se një orë si rezultat i mungesës së kuorumit, pasi seancën e lëshuan deputetët e LDK-së të pakënaqur me mosvotimin e amandamentin 17 që parasheh përfshirjen në komisionin për verifikimin e kategorive të luftës edhe të një anëtari të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë në ekzil, dhe deputetët e Vetëvendosjes, të cilët që në fillim paralajmëruan kundërshtimin e tyre për mospërfshirjen e veteranëve në projektligj.

Këtë kohë, kryetari Krasniqi e ka shfrytëzuar për t’u takuar me shefat e grupeve parlamentare, me të cilët ka arritur konsensus që të rivotohet amandamenti 17 i projektligjit.

Në këtë mënyrë, edhe dy subjektet më të mëdha, pasi kanë kanë mbajtur mbledhjet e grupeve parlamentare kanë vendosur pro miratimit të këtij amandamenti, duke e miratuar me 43 vota për, 16 kundër dhe 5 abstenime. Po ashtu edhe projektligji në tërësi ka marrë mbështetjen e 61 deputetëve, 4 e kanë kundërshtuar, kurse 6 vota ishin abstenim.

Shoqatat e UÇK-së: Si duket deputetët nuk e njohin historinë

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ndaj përmbajtjes dhe miratimit të Projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së.

Në reagimin e lëshuar për media, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së thonë se ndjehen të indinjuar thellë për mënyrën e diskutimit dhe votimit të këtij projektligji, i cili edhe ka kaluar sot në Kuvendin e Kosovës.

Madje, ata konsiderojnë se deputetët me veprimet e tyre kanë treguar se nuk e njohin historinë.

“Siç duket, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk e njohin historinë më të re të popullit tonë e aq më pak historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse në Kuvendin e Kosovës, kemi shumë deputetë, pjesëmarrës aktiv të kësaj lufte, periudhën kohore të veprimtarisë së UÇK-së e kufizojnë në vitet 1997-1999”, thuhet në reagim.

Shoqatat theksojnë se edhe pse në titullin e Projektligjit, janë përfshirë veteranët dhe pjesëtarët e luftës së UÇK-së, brenda ligjit ata përjashtohen tërësisht nga të drejtat dhe benificionet e tyre.

“Statusi dhe të drejtat e veteranëve të UÇK-së 1. Sipas dispozitave të këtij Ligji, nga organi përgjegjës i Qeverisë, njihet dhe përcaktohet statusi i veteranëve të UÇK-së. 2. Të drejtat në benficione për veteranët e UÇK-së si dhe kriteret e kualifikimit për njohjen dhe realizimin e tyre do të rregullohen me Ligj të veçantë”, ky është projektligji i miratuar në Kuvend.

Më tutje, Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vlerësojnë se trajtimi që u bëhet invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve në disa nene të projektligjit, si raste sociale, për ne janë fyese dhe të papranueshme.

Qeriqi: Do t’u kthehemi protestave

Përveç kritikave dhe vërejtjeve të disa deputetëve gjatë seancës lidhur me përmbajtjen e Projektligjit për kategoritë e luftës së UÇK-së, të pakënaqur janë shprehur të jenë edhe vetë veteranët. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë për Kosovapress se nuk do të pranojnë të bëhet ndarja e kategorive të luftës dhe për këtë do të protestojnë sërish.

Pas diskutimeve të shumta të deputetëve dhe bojkotit të seancës nga opozita, pasdite është miratuar Projektligji për statusin e të drejtave të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së dhe të familjeve të tyre.

Jo përmbajtja e Projektligjit, por moskalimi i amandamentit 17, që parashihte futjen e një anëtari të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë në ekzil në Komisioni për verifikimin e kategorive të luftës, bëri që fillimisht LDK-ja të lëshoj në mënyrë demonstrative seancën e Kuvendit.

Duke arsyetuar bojkotin e seancës, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se tentimin për moskalimin e amandamentit 17 është papërgjegjshmëri dhe hipokrizi që din të bëjë vetëm PDK-ja.

“Kjo ndodh vetëm nga njerëz të tillë të papërgjegjshëm që dëshirojnë të eliminojnë njerëz të cilët kanë derdh gjak, kanë dhanë jetë familjet e tyre dhe nuk e përkrahin një amandament, i cili ka kalu në komisionin funksional. Kjo është hipokrizi e PDK-së dhe kryeministrit të Kosovës, i cili në seancë ka thanë tekstualisht: këtu do të jetë të përfshirë që të gjithë, nuk do të përjashtohet askush. Ju vlerësojeni vetë se kush po gënjen këtu, kush po bënë maskara me gjëra të tilla dhe kush po i diferencon luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi vërejtjet e tij i kishte te përmbajtja e projektligjit. Ai tha se subjekti i tyre u detyrua të lëshoj sallën si shenjë kundërshtimi me mënyrën e manipulimit të Qeverisë së Kosovës me veteranët e UÇK-së.

“Sot nuk e kishim ligjin që e kërkojnë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ligjin që ata kanë nevojë, i cili do të rregullonte të drejtat dhe benificionet e tyre. Pra ne thjesht sot nuk morëm pjesë në mashtrimin që po i bënë Qeveria e Kosovës veteranëve të UÇK-së dhe ky është motivi jonë që abstenuam gjatë amendamenteve dhe nuk morëm pjesë edhe fizikisht në votimet e këtij projektligji, sepse tek e fundit, më mirë është të pritet për një ligj vërtet për veteranët, sesa të marrim pjesë në një ligj të keq për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmeti Isufi ka thënë se projektligji ka kuptim nëse aty përfshihen edhe veteranët e UÇK-së dhe të gjitha kategoritë e luftës gëzojnë privilegjet e tyre.

“Nëse është projektligji për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës, duhet të jetë projektligj i kompletuar, i amandamentuar dhe që mbronë të gjitha këto kategori, duke iu pranuar statusin e tyre dhe duke u ofruar privilegjet dhe benificionet e tyre. Nëse një kategori prej të gjithave të përmendura në ligj mohohet ose shkelet, mendojmë që është një mashtrim. Prandaj, kemi kërkuar që projektligji të kthehet mbrapa, të përpunohet dhe të gjitha kategoritë e luftës gëzojnë statusin e tyre dhe ato që meritojnë”, ka thënë ai.

Me përmbajtjen e projektligjit të pakënaqur janë shprehur të jenë edhe vetë veteranët. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë për Kosovapress se nuk do të pranojnë të bëhet ndarja e kategorive të luftës dhe për këtë do të protestojnë sërish.

Ai e quajti lojë të politikës projektligjin e hartuar aktualisht për vlerat e luftës, ndërsa ka paralajmëruar se do të fillojnë sërish me protesta për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Po shihet edhe njëherë që është duke u bërë një lojë me këto kategori. Ata e dinë se nuk duhet të luhet me këta njerëz që kanë dhanë gjithçka për këtë tokë dhe këtë vend. Kështu që nëse nuk përfshihen veteranët e luftës dhe nuk përfshihen benificionet e tyre, ne do të ulemi dhe do të diskutojmë me kryesinë e Këshillit dhe patjetër se do të protestojmë për këto padrejtësi. Besoj se tani nuk do të jemi me protesta pranë Qeverisë, por brenda objektit të Qeverisë do të protestojmë. Nuk do të rrimë më jashtë”, ka thënë ai.

Qeriqi theksoi se asgjë më pak se marrëveshja e arritur kohë më parë me Qeverinë, nuk do të pranohet.

Veteranët e luftës përfshihen në këtë ligj vetëm si emërtim, ndërkaq për shkak të mundësive, nuk janë përfshirë edhe në përfitimin e beneficioneve, sikur kategoritë tjera./Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›