Teheran: Ambasada virtuale do të dështojë

Ministria e Jashtme e Iranit kumtoi të enjten se, “ambasada virtuale” e ShBA’ve, e cila është aktivizuar në internet, do të dështojë në përpjekjet për bërjen për vete të popullit iranian.
Zëdhënësi i ministrisë, Ramin Mehmanparast, theksoi se kjo iniciativë amerikane “nuk do t’i kompensojë gabimet e Amerikës, e as nuk do të mund të transmetojë mesazhin e saj te qytetarët iranianë”.
Ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit aktivizoi një faqe të re në internet, me qëllim të ofrimit të informacioneve për iranianët e zakonshëm rreth mundësisë së udhëtimit në SHBA, si dhe për tema të tjera. Mirëpo, vetëm pas një dite funksionimi autoritetet iraniane e bllokuan qasjen publike në këtë web-faqe.
Përmes një deklarate zyrtare, Shtëpia e Bardhë nënvizoi se ky veprim tregon që “qeveria iraniane edhe një herë dëshmoi përkushtimin e saj për ndërtimin e një perdeje elektronike të mbikëqyrjes dhe censurës” për popullin iranian.