Miratohet Qarku i Beratit, KQZ refuzon kërkesën e PS-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi zgjedhjet në Berat, pa marrë parasysh pretendimet e PS-së
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi mbrëmë me votat e përfaqësuesve të djathtë, rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Beratit, pa pasqyruar në tabelat përfundimtare të dhënat e nxjerra nga kutia e votimit nr. 3661, e cilësuar si e parregullt nga KZAZ-ja përkatëse.
Që prej përfundimit të procesit të numërimit në Qarkun e Beratit, Partia Socialiste ka kundërshtuar ashpër mosnumërimin e kutisë në fjalë dhe ka akuzuar përfaqësuesit e djathtë, të cilët e kanë konsideruar si të parregullt dhe në mënyrë krejt të jashtëligjshme.
Ndërsa sipas përfaqësuesve ligjorë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tabela përfundimtare me rezultatet e Qarkut të Beratit, duhet të miratohej vetëm pasi në të, të ishin pasqyruar edhe të dhënat e nxjerra pas numërimit të kësaj kutie.
Pas vendimit të marrë nga KQZ-ja, Partisë Socialiste nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta ankimojë, duke kërkuar rivlerësim të votave në Qarkun e Beratit. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që votuan pro miratimit të rezultateve të zgjedhjeve në këtë qark, e arsyetuan qëndrimin e tyre me faktin se, Kodi Zgjedhor nuk i jep të drejtë KQZ-së që të ndryshojë tabelën e rezultateve të përpiluara nga KZAZ-të, por vetëm t'i miratojë ato.
Duke u bazuar në Kodin Zgjedhor, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genci Gjoncaj, deklaroi se, përderisa kutia është pranuar si e rregullt nga anëtarët e KZAZ-së, atëherë ajo duhet të numërohet dhe, për pasojë, duhet të prodhojë rezultat.
Referuar procesverbalit që shoqëron këtë kuti, kjo e fundit është pranuar si e rregullt nga KZAZ-ja përkatëse, ndërsa pretendimet për parregullsi janë shfaqur pasi ajo është hapur.
Procesi i numërimit të votave në Qarkun e Beratit, nuk është përmbyllur në mënyrën më të mirë, pasi vetëm në një KZAZ janë shënuar mbi dy mijë vota të pavlefshme, duke i detyruar partitë e koalicionit të udhëhequr nga PS-ja, të pretendojnë se nuk kemi të bëjmë me një rastësi.