Vaniteti dhe parapërgatitja për vdekjen
Në qoftë se do të durosh jetën, përgatitu të pranosh vdekjen! Kësaj paradigme të Zigmund Frojdit i referohet Ardian Isufi për ekspozitën personale.
Organe humane në përmasa mbinatyrale: kordoni kërthizor, zemra, fetusi dhe veshi në dialog simbolik.
Piktori: "Ka kaq shumë vanitet ndaj jetës. Ideja se duhet të jesh i bukur, i ri dhe i fortë, i ka futur njerëzit në ngërçe"
Në vitin 2002, Ardian Isufi ekspozonte në Galerinë Kombëtare të Arteve një seri pikturash, që fillesë të parë fare kishin frymëzimin nga trupi njerëzor sipas paraqitjes në atlaset e anatomisë së tetëvjeçares. Trupa të fashuar nga një rrjetë gjatësore muskujsh, trupa pa organe, si të ishin në fund të procesit të një riti varrosjeje që e përgatit trupin për ta nisur në jetën tjetër.
Gjatë këtyre viteve, Isufi e ka përpunuar këtë ide fillestare të trupave lakuriq të fashuar me muskuj, trupa në gjendje memece, e herë-herë si trupa të rënë nga një aksident.
Përfytyroni një njeri të rrëzuar mbi asfalt dhe hijen e zbrazët që lë trupi sipas shkumësit të hetimit të parë në vendngjarje.
Apo një trup të rrëzuar me shiritin e ndalimit përsipër si fasha që identifikon gjoksin e një prefekti në një ceremoni të qarkut.
Gjatë kësaj kohe, Ardian Isufi është shfaqur edhe me instalacione, nxitje për të dalë kundër gjuhës së politikës së ditës në Shqipëri.
Fjala vjen, ai shfaqi në një "Onufri" të fundit një gjuhë që del nga një WC allafrënga, dhe një herë tjetër një seri pisuarësh të lidhur në një nyje, prej së cilës ato dalin si tentakula oktapodi.
Ka në proces një cikël punësh, peizazhe urbane që merren me historinë e Shqipërisë në kontekstin e një vendi postkomunist, "e fabrikimit që iu bë historisë sonë dhe e një lloj rikonstruksioni që i bëhet sot asaj."
Është marrë me sheshe dhe monumente, që janë realizuar gjatë regjimit komunist, është marrë me vitin gjashtëdhjetë e shtatë në veçanti.
Ardiani 36-vjeçar, pedagog në Atelienë e Grafikës në Akademinë e Arteve, mendon se "jemi shkëputur nga sistemi komunist, por mentaliteti mbetet po ai, komunist, gjë që duket në paqëndrueshmërinë e shqiptarëve në një aspekt politik, social, religjioz."
Të gjitha këto qëndrojnë. Por kërkimi cerebral dhe interpretimi aty për aty i fenomeneve të ditës në art, jo gjithmonë jep rezultat.
Megjithatë, tema e ndjeshmërisë humane dhe ciklit me trupa memecë zënë vend kyç në krijimtarinë e Ardian Isufit, ku ia vlen të ndalesh. Kërkimi në këtë drejtim, i cili në aspektin filozofik i përket diskursit për vdekjen, mbetet më konseguenti në punën e këtij piktori.
Pra, është cikël i krijimeve që nuk vijnë si porosi apo thirrje prej dikujt dhe prej angazhimit dhe rolit social të artistit. Prandaj, aty shpresohet të gjesh liri dhe gjë personale. "Gjithmonë kam një gjendje, një gjendje ku gjithmonë jam i rënduar. Është një gjendje konstante ndaj fenomeneve. Pastaj në momentin kur del vepra, ndodh një operacion abstrakt." Me fjalë të tjera, është syhapur gjithë kohës.
Ardian Isufi tani është duke përfunduar ansamblin e ekspozitës që pritet të hapet në vjeshtë në Galerinë Kombëtare të Arteve, projekt që sapo është miratuar për mbështetje financiare nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Quhet "Si vis vitam, para mortem!" (Në qoftë se do të durosh jetën, përgatitu të pranosh vdekjen!) është përshtatje e Zigmund Frojdit nga një shprehje e vjetër latine, "ku qëmtohet mbi identitetin e njeriut dhe ku zë fill procesi dhe hulumtim im artistik, i marrëdhënies ndërmjet trupit të njeriut dhe realitetit absurd që e rrethon!"
Janë gjashtë punë, imitime mbinatyrore të organeve të njeriut, të cilat japin një mesazh si një ansambël i vetëm.
Është më e lartë trysnia që përcjell një foshnjë me kordonin kërthizor rreth qafës, asfiksia e një zemre transparente dhe përgjysmë në gjak, apo fetusi përmbys në ujërat e nënës. Isufi i quan metafora anatomike apo shenja humane që përcaktojnë kufij në jetën e përditshme.
"Këto përpjekje dhe mundime të njeriut për të dokumentuar dhe tjetërsuar atmosferën e pasigurt dhe të paqëndrueshme që ndodhet, vijnë nga vëzhgime dhe përjetime njerëzore, të cilat janë fiksuar në këto skulptura instalacione."
Për Ardianin, gjithnjë ekziston rreziku i kanosjes. Ansambli i tij sërish nëpërmjet organeve memece ka për qëllim të japë një moment ngërçi, ndërmjet të ardhurës (jeta, ardhja në jetë) dhe të ikurës (vdekja). "Për mua është e rëndësishme që njeriu t'i ketë këto ndjesi", thotë piktori, i cili nuk e pati problem të zbulonte disa nga këto punë të tijat me rastin e botimit të këtij shënimi.
Paçka se vëmendja e tij ndaj vdekjes lidhet me një përvojë shumë personale, dhe të pashlyeshme nga kujtesa me gjithë kalimin e viteve, sipas Ardianit, përvoja universale tregon se njerëzit kanë një lloj stepjeje ndaj vdekjes. "Vdekjen e shoh si rrugëtim. Edhe në religjionet më të hershme njeriu parapërgatitet për vdekjen.
Por njerëzit e marrin si ndonjë kanosje dhe kjo i shtyn drejt një ngërçi që shkakton moskuptim. Vdekja është shumë e çuditshme. Njerëzit në përgjithësi nuk duan ta diskutojnë." Por ai beson se vetëdija për vdekjen i ndihmon njerëzit të zgjidhin ngërçet e një ankthi. "Sepse njerëzit kanë vanitet ndaj gjërave që i takojnë jetës.
Njerëzit duan të jenë të bukur, të rinj, të fortë", - shton ai për këtë modë të tejzgjatur të pëlqimit të vetes, të dëshirës për t'u admiruar dhe duartrokitur nga të tjerët, të dëshirës për të padobishmen. Gjërat kalimtare të jetës që, nëse nuk do të bërtisnin dhe farfurinin si sot, do ta ndihmonin dëshirën aspak të ndërlikuar njerëzore për të kuptuar pa folur.
Diçiturat:
1. "Si vis vitam, para mortem!"
Qëndrimi kundrejt vdekjes ushtron ndikim të fortë në jetën tonë duke e parë e analizuar nën një vështrim vertikal foshnjën-fëmijë apo fëmijën-njeri, qysh në fillesat e tij shfaqen instinkte pasigurie! Korda që e lidh me nënën tjetërsohet në element pasigurie, ku në të njëjtën kohë shërben për të lindur jetën, është edhe rrezik eminent për ta privuar prej saj: "Jeta nuk matet nga frymëmarrjet që bëjmë, por nga momentet kur ngelim pa frymë!"
2. DING DONG / 2008-09 / rezine trasparente-solucion i kuq / diametër-110cm / lartësia -140cm.
3. Ndërmjet/ 2009 / rezine poliest / lartësia 140 cm/ gjerësia-100cm / thellësia-80cm
Qenia humane, brenda kapsulës anatomike, përjeton një situatë ndërmjet një honi embrional që vizualisht të fut në sensacionin e një vrime të zezë dhe vështrimit plot ankth që fëmija ia hedh publikut si ndihmë apo kontakt shpëtimi, duke e integruar edhe atë (publikun) si pjesë të dilemave humane!
4. BIG BANG -bronz-motor elektrik / 2009 / rezine poliest / lartësia 220 cm/ gjerësia-140cm / gjatësia-350cm