E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Rezoluta, PE: Të zgjidhet kriza, të ndryshojë Kodi Zgjedhor

Europarlamentarët votojnë pro integrimit të Shqipërisë, por vendosin kushte

Eljona Ballhysa
Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka miratuar dje me 59 vota pro dhe vetëm 1 votë kundër Rezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE. Por, megjithëse rezoluta mori miratimin e europarlamentarëve, sërish këta të fundit kanë vendosur një sërë kushtesh për Shqipërinë. Ata kanë theksuar domosdoshmërinë për kapërcimin e situatës kritike politike, ndërsa kanë bërë thirrje për bashkëpunim midis maxhorancës dhe opozitës për hartimin e ndryshimeve në Kodin Elektoral. Po kështu, eurodeputetët i kanë bërë thirrje politikës shqiptare që të miratojë me konsensus ligjet e rëndësishme për vendin, që kërkojnë 84 vota dhe të vazhdojnë ritmin e reformave të nevojshme për integrimin europian.
Qëndrimi
Raportuesi i PE-së, që është dhe hartues i Rezolutës për Shqipërinë, Nikolas Kauntis, u shpreh se miratimi i Rezolutës është dhe një nxitje për Shqipërinë për t’u përpjekur më shumë për integrimin europian. “Ky është një qëndrim i përbashkët për t’i thënë Shqipërisë se duhet të përpiqet më shumë për integrimin europian. Mendoj se është lajm pozitiv për popullin dhe qeverinë tuaj”, - është shprehur Kauntis.
Rezoluta thekson se kriteri politik është shumë i rëndësishëm për integrimin europian të vendit dhe vëren se pavarësisht ndërhyrjes lehtësuese nga BE-ja, palët ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për kapërcimin e ngërçit politik. Eurodeputetët theksojnë rëndësinë e një dialogu politik, duke kërkuar që forcat kryesore të gjejnë zgjidhje dhe të angazhohen për një ligj të ri elektoral, i cili do të mund të garantojë transparencë të plotë të procesit të ardhshëm zgjedhor. “Votimi ishte 59 deputetë nga 60 në sallë.
Rezoluta është përmirësuar dukshëm me atë fillestare dhe është më afër realitetit shqiptar”, - u shpreh deputeti demokrat, Fatos Beja. Ndërsa Kauntis ka bërë të ditur se Rezoluta u amendua në lidhje me kriteret e reja që duhet të përmbushë Shqipëria për të përfituar liberalizimin e vizave brenda vitit 2010. “Kishte disa amendamente që për çështjen e vizave t’i mbyllnim derën Shqipërisë në mënyrë që të kishim përmirësim të situatës politike atje. Por në Rezolutë vendosëm që të thuhet ndryshe që duhet t’u japim vizat shqiptarëve; sa më shpejt, aq më mirë”, - u shpreh Kauntis. Grupimet politike europiane gjithashtu kanë theksuar si themelore nevojën për një sistem gjyqësor transparent, të paanshëm, efikas dhe të pavarur nga çfarëdolloj kontrolli apo presioni politik. Në Rezolutë kërkohet hetimi i zgjedhjeve në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, duke përmendur këtu edhe vlerësimet e OSBE/ODIHR-it, ku thuhet se zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar plotësuan shumicën e standardeve të kërkuara. Rezoluta kërkon nga forcat politike në Shqipëri që të marrin të gjitha përgjegjësisë dhe të angazhohen për dialog konstruktiv, ku përfshihet edhe një ligj i ri elektoral. Miratimi i kësaj rezolute nuk ka kaluar pa debate midis eurodeputetëve, ku pikat më të debatueshme ishin ato që kanë të bëjnë me situatën politike në Shqipëri, si dhe mbi përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. “Përkundër të gjitha problemeve të brendshme, Shqipëria është në rrugë të mbarë. BE-ja nuk do të largojë vëmendjen, por do të lëshojë një sinjal të qartë për të vazhduar reformat. Kjo përfshin mesazhin për udhëtimin pa viza për qytetarët shqiptarë në mënyrë që të fuqizohet pranimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, - është shprehur përfaqësuesja e PPE-së, Doris Pak. “Komiteti i Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen e krizës politike në vazhdim pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009 dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për të vazhduar dialogun e tyre, duke theksuar qëndrimin e OSBE-së se zgjedhjet e qershorit kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Një parlament që funksionon është shtylla kurrizore e çdo sistemi demokratik”, - është shprehur Pak. Sipas saj, Komiteti i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që ta marrë seriozisht punën e saj në Parlament dhe të votojë ligjet penale që kanë nevojë për 84 vota.

Berisha vlerëson miratimin e Rezolutës nga PE-ja

Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se vota pothuajse unanime në PE ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të qeverisë shqiptare, por jo vetëm të qeverisë, por të të gjitha institucioneve të vendit që me përkushtim të madh punuan për të konkretizuar dhe për të shndërruar në realitet të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit të KE-së për heqjen e vizave.
Kryeministri Berisha siguroi se qeveria po punon me intensitetin dhe seriozitetin më të madh për të plotësuar edhe tri rekomandimet e rëndësishme të KE-së. Duke e vlerësuar këtë votë si historike dhe shumë të rëndësishme për Shqipërinë, kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për votëbesimin e shkëlqyer që parlamentarët europianë dëshmuan ndaj qytetarëve shqiptarë. “Ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella, të cilat zhdukën çdo lloj hezitimi për t’u dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën e BE-së qytetarëve shqiptarë. Këto janë një vlerësim i seriozitetit të madh me të cilin ne e kemi trajtuar këtë çështje duke qenë të bindur se çdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm dhe i domosdoshëm, për t’u garantuar qytetarëve shqiptarë një dimension të ri, të madh, në lirinë e lëvizjes së tyre, atë të heqjes së vizave për lëvizjen në BE”, - u shpreh kryeministri.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›