E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet buxheti 2010, opozita kundër

Kuvendi i Kosovës miratoi sot, në seancën e fundit për sivjet, buxhetin për vitin 2010, në vlerë prej 1 miliard e 461 milionë euro.

Deputetet e tri grupeve kryesore opozitare, AKR, LDD dhe AAK lëshuan sallën e Parlamentit, në kohën kur filluan procedurat për votimin e buxhetit për vitin 2010.

Shefi i Grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, në fillim të seancës kërkoi të hiqet krejt nga rendi i ditës pika e buxhetit, për faktin se nuk janë respektuar procedurat. “Janë procedurat parlamentare që duhet të respektohen. Sipas tyre një ditë më parë ka qenë dashtë të bëhet dorëzimi i materialeve për projekt-buxhetin për vitin 2010 dhe kjo nuk është respektuar”, tha Makolli, transmeton KosovaPress.

Mirëpo, ligjvënësit e partive në pushtet, me 66 vota për, 4 kundër dhe pa asnjë abstenim, e miratuan buxhetin për vitin 2010.

Para se të miratohet në tërësi buxheti, janë miratuar një pas një edhe 39 amendamente dhe rekomandimet e Komisionit për buxhet dhe financa për buxhetet e organizatave buxhetore, si Gjykatën Kushtetuese, Avokatin e Popullit, ART-në, Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, etj.

Me seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës e përmbyll punën e tij për vitin 2009, gjatë të cilit janë miratuar mbi 40 ligje. Ndërkaq vitin 2010, Kuvendi do ta nisë me një seancë solemne me rastin e vizitës së presidentit në largim të Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili do të mbajë një fjalim para ligjvënësve të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›