E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Të hapen kutitë, më pas dialog

29/12/2009  PS-ja i përgjigjet Metës
Partia Socialiste nuk heq dorë nga kërkesa për hapjen e kutive, duke kushtëzuar çdo lloj bashkëpunimi. Kështu, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të ardhura nga drejtues politikë, ku shprehet gatishmëria për nisjen e një dialogu mes palëve, selia rozë i mëshon gjithnjë e më shumë një kërkese të tillë. Deputetja e PS-së Olta Xhaçka reagoi dje lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit Ilir Meta, njëkohësisht kreu i LSI-së. “Ilir Meta si fillim duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve dhe t’u japë llogari pse e ngeli Shqipërinë në klasë, pse dështoi me liberalizimin e vizave dhe e izoloi edhe më shumë vendin tonë duke e lënë Shqipërinë të fundit në Europë. Iliri Meta ta harrojë se mund të lajë gojën me fjalën ‘dialog’, madje do të ishte më mirë të mos fliste fare, sesa hap gojën e u kujton njerëzve ç’ka thënë kundër dialogut me Sali Gërdecin. Ne nuk mund të pranojmë kushte të ashtuquajtura ‘ligjore’ për dialog, sepse jo vetëm që ligji s’e ndalon Parlamentin të hapë kutitë, po as qeveria s’ka shpëtim duke i mbajtur ato mbyllur me pahir”, - vlerësoi ajo. Xhaçka theksoi: “PS-ja ka qenë dhe mbetet e hapur për dialog, por dialogu duhet të fillojë me zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit, e vërtetë që mund të zbulohet vetëm me hapjen e kutive. Iliri i Sali Gërdecit duhet ta dijë shumë mirë se tani është koha për veprim, jo për fjalë boshe. Dialog po, menjëherë, por jo mbi kutitë e mbyllura. Kështu që Iliri i Sali Gërdecit të hapë kutitë ose të largohet bashkë me Saliun.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›