Koçi komenton situatën politike
29/12/2009 Deklarata
Kryetari i PSV ’91 u shpreh dje lidhur me situatën politike në vend. “Po afron një vit sfidash të mëdha për vendin dhe shoqërinë shqiptare. Viti 2010 kërkon nga politika shqiptare të heqë dorë nga huqet e vjetra dhe primitivizmi. Një politikë e njerëzve të civilizuar dallohet nga fuqia për dialog mes të vetëshpallurve armiq të njëri-tjetrit. ‘Dialogu’ nuk do të thotë ‘tradhti’, bile as patjetër marrëveshje, por dëshmi e një kulture europiane në procesin politik. Do të uroja që Viti i Ri ta bëjë të mundur komunikimin civil mes politikanëve kundërshtarë, përfshirë dhe atë mes Ramës dhe Berishës”, - vlerësoi ai. Po në këtë linjë, Koçi shtoi që “të mos komunikojnë më fshehurazi, si në 2008-n për monopolizimin e Kushtetutës dhe Kodit Elektoral, por hapur, në transparencë të plotë ndaj qytetarëve dhe aktorëve politikë. “Dialogu dhe komunikimi transparent mund të çojnë në marrëveshje të mbara e jo të prapa, si ato të 2008-s. Prandaj nuk e konsideroj tradhti një takim të hapur Rama-Berisha”. Sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë për politikë përtej së majtës apo së djathtës, por për politikë përtej interesit personal të liderëve politikë. “Kultura e re e politikëbërjes kërkon kurajë qytetare”, - vlerësoi kreu i PSV ’91.