E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet buxheti i KQZ, 7.3 miliardë lekë për procesin zgjedhor 2009

Komisioni Qendror Zgjedhor miratoi dje unanimisht buxhetin e parashikuar për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare më 28 qershor, i cili përllogaritet të jetë 7.3 miliardë lekë. Me 7 vota pro dhe asnjë kundër, KQZ miratoi në mbledhjen e djeshme kërkesën drejtuar Këshillit të Ministrave për aprovimin e buxhetit. Nëpërmjet një relacioni të detajuar, anëtarët e KQZ- së, u njohën me të gjitha zërat që përbëjnë buxhetin e këtyre zgjedhjeve. Qeveria kishte parashikuar fondin prej 6 miliardë lekësh, por KQZ kërkoi që këtij buxheti, ti shtohen edhe 1. 3 miliardë lekë më shumë. Ky fond do të shërbejë për monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave. Për herë të parë në Shqipëri grupet e numërimit të votave do të kenë pranë një monitor ku do të pasqyrojnë çdo fletë votimi në kohë reale. Në ambientet e KQZ- së do të funksionojnë monitorët që pasqyrojnë aktivitetin nga 66 Komisione Zonale Zgjedhore dhe procesi do të mund të ndiqet direkt me të gjitha problemet që mund të hasen. Një zë i konsiderueshëm financiar janë pagat e mbi 41 mijë komisionerëve të niveleve të ndryshme, si dhe pagat e punonjësve part-time që KQZ ofron në prag të zgjedhjeve.
Ja buxheti i KQZ
Në buxhetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve totali i pagave, arrin shifrën 238,934,967 lekë. Buxheti parashikon se pagat e punonjësve, specialistëve, shpërblimi i anëtarëve të KQZ do të kapin shifrën totale në 14,121,199 lekë, ndërsa shifra totale për sigurimet shoqërore arrin në  6,068,096. Pagat e punonjësve me punësim të përkohshëm në KQZ arrijnë në shifrën prej 2,390,944 lekë. Pagat totale e specialistëve me punësim të përkohshëm ne KQZ, sipas buxhetit do  të jetë 21,814,768  lekë, ndërsa sigurimet shoqërore 3,677,152 lekë. Sipas buxhetit, shpërblimi i anëtarëve te KZAZ-ve, KQV-ve, GNV-ve, ZR, trajnuesve te KZZ,KQV,GNV do të jetë në total 202,999,000 lekë. Ndërsa, mallrat arrijnë në total 102,505,035 lekë. Kjo shifër ndahet në materialeve (prodhime specifike), import që i përkasin 72,293,579 lekë. Materiale (prodhime specifike), brenda vendit arrijnë në shifrën prej 22,291,228 lekë. Materiale te përgjithshme zyre arrijnë në shifrën 7,920,228 lekë. Sipas buxhetit, shërbimet arrijnë në shifrën prej 147,957,000 lekë. Për shërbime transporti shifra arrin në 12,132,000 lekë. Për shërbime udhëtim e dieta shifra arrin në 52,842,000 lekë. Për shërbime për mediat elektronike dhe te shkruara (trajnime)  shifra arrin totalin prej 2,760,000 lekë. Për shërbime ambientesh me qira shifra arrin në 13,950,000 lekë.   Për shërbime të tjera dhe karburanti shifra arrin në 22,080,000 lekë. Për shërbime për mediat elektronike dhe te shkruara (edukim, informim, sensibilizim) shifra arrin në 44,193,000 lekë. Sipas buxhetit, investimet arrijnë në shifrën totale prej 219,146,554 lekë. Në këtë shifër përfshihen orenditë dhe pajisjet e zyrës që arrijnë në shifrën prej 15,647,500 lekë dhe projekti i kamerave arrin në shifrën prej 203,499,054 lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›