E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Manifestimi, shprehje e domosdoshmërisë për të mos harruar plagët

Kryesocialisti akuzon PD se  me sulmet  e tyre ndaj tij  dhe familjes, tregojnë krizë argumentesh Pjesëmarrjen e madhe qytetare në sheshin Skënderbe me rastin e përvjetorit të viktimave të tragjedisë së Gërdecit, kreu i PS, Edi Rama nuk ka nguruar të shprehë falënderimet nga zemra për të gjithë, që sipas tij i dhanë jetë atij manifestimi madhështor. Gjithashtu, Rama falenderoi edhe Policinë e Shtetit, drejtuesit e së cilës, sipas tij dhanë më të mirën për të garantuar Rrugën e Flamurit, pa asnjë pengesë dhe njëkohësisht për të siguruar të gjithë hapësirën e nevojshme që manifestimi të zhvillohej normalisht. Sipas Ramës, ky manifestim është ndjekur në të gjithë Shqipërinë dhe përtej kufijve të Shqipërisë, nga ku kanë mbërritur me qindra e qindra mesazhe përgëzimi dhe falënderimi. Rama tha se manifestimi ishte qytetar dhe një manifestim i ndjenjave të dashurisë dhe solidaritetit me të gjithë ata që dje kishin nevojë për dashuri dhe solidaritet më shumë se të tjerët. Gjithashtu, Rama tha se manifestimi ishte shprehje e domosdoshmërisë për të mos harruar plagët e së shkuarës, të cilat mbeten sot e gjithë ditën të hapura, sepse vetëm kështu mund ti shërojmë. Manifestimi ishte shprehje e vetëdijes se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, i cili pa asnjë dyshim fillon brenda nesh, fillon mes nesh, fillon nga përkrahja e njëri-tjetrit në një vend të cilit Zoti i ka falur gjithçka popullit shqiptar, për të jetuar në paqe e mirëqenie, në një vend ku pasuritë dhe potencialet nuk mungojnë për të bërë të mundur që të rejat dhe të rinjtë të mos jenë rrugëve të papunësisë apo rrugëve të arratisë, për të gjetur një punë matanë kufijve për të mbajtur familjet e tyre, u shpreh Rama. I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës për shtyp, duke qenë se jemi vetëm pak muaj para zgjedhjeve se çfarë premton programi elektoral i PS popullit shqiptar, Rama u shpreh se programi ynë i ri qeverisës, është një instrument që do të na japë mundësinë të bëjmë gjithçka që do të premtojmë dhe të mos premtojmë atë që nuk bëjmë dot. Rama vijoi se, duke u shprehur se ne duam ti japim jetë, nesër në qeveri, një politike të re, ashtu si kundër i kemi dhënë jetë politikës së re në opozitë. Opozita jonë është mbartëse dhe përçuese e një fryme evropiane, e një fryme emancipuese, e një fryme përbashkuese dhe jo mbartëse apo përçuese e asaj fryme të vjetër primitive, vulgare dhe përçarëse, që ka karakterizuar opozitat e shkuara dhe që nuk u ka dhënë mundësi shqiptarëve të shikojnë nga politika me kërshëri e njëkohësisht me besim, por që përkundrazi i ka larguar gjithmonë e më shumë shqiptarët prej politikës. I pyetur se çfarë do të synon koalicioni opozitar në këtë fushatë zgjedhore, Rama tha se bashkimi i ri synon një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër. Ai theksoi se bashkim i ri që po rritet dita-ditës, do të mishërojë në fushën e betejës zgjedhore një koalicion shumë të madh përtej partive. I pyetur në lidhje me  akuzat e PD kundër tij  dhe familjes së tij, Rama i cilësoi si shprehja më kuptimplotë e krizës së tyre të ideve, e krizës së argumentave të tyre, e mungesës së tyre të vizionit dhe të asaj që ata përfaqësojnë; politikën e vjetër të së shkuarës. Së fundi, i pyetur në lidhje me listat zgjedhore të kandidatëve për deputet, Rama tha se është i vendosur që të mos kontribuoj për telenovelat. Mjaftojnë telenovelat që televizionet e ndryshme shfaqin në orët e telenovelave, ndërkohë që politika duhet të jetë diçka tjetër dhe ata që merren me politikë duhet të ofrojnë diçka krejt tjetër, u shpreh Rama. Ai theksoi se në atë hapësirë që i kushtohet politikës, njerëzit të mund të dëgjojnë, se çfarë ka politika për të thënë për koston e tyre të jetesës, për fuqinë e tyre blerëse, për rrogat dhe pensionet, për kushtet për të cilat fëmijët e tyre shkollohen, për kushtet në të cilat të sëmurët dhe të pamundurit mes tyre kurohen dhe kështu me radhë.

Last Updated on Tuesday, 17 March 2009 10:47

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›