E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Uithers, me ligj apo pa ligj lustracioni, Edi Rama i përket krimit komunist

Në këto 20 vjet të pluralizmit shqiptar, përveç një problematike të madhe dhe të thellë të raportit të memories të shoqërisë shqiptare me komunizmin, një problem jo i vogël është ai i sqarimit të të huajve për atë çka ka ndodhur në Shqipëri në kohën e diktaturës. I klasifikuar si vend komunist, Shqipëria ende njihet pak mbi të vërtetën e krimit komunist mbi popullin e vet. Prandaj të renditesh në anën e atyre që i prek thelbësisht tabloja kriminale e kohës komuniste, është më shumë se mungesë informacioni. Statistikat e krimit të Enver Hoxhës, Nexhmijes dhe Ramizit mbi popullin e tyre, përfshirë gjithë shqiptarët në Ballkan, janë të nivelit të holokaustit. Por, ka munguar dhe mungon pasqyrimi mediatik, filmik, artistik, dokumentar, i tablosë së zezë gjakatare të komunistëve mbi popullin e tyre, mbi veten e tyre, nën frymëzimin e absurdit për ndërtimin e socializmit. Të flasësh sot dhe të krenohesh për raporte miqësore apo më shumë t’i fshehësh ato me pjesën fajtore të asaj kohe, është një ndodhi e pazakontë. Ka qenë dhe është integriteti moral dhe strategjia politike e SHBA-ve dhe Perëndimit human, ajo që i dha fund ekzekutimeve në Shqipëri. Dhe në përpjekjet për të ndërtuar shoqërinë shqiptare moderne, sipas modelit të demokracive euroatlantike, çështja e memories është një çështje jo thjesht morale, por një vijë ndarëse midis atyre që duan përparimin e Shqipërisë dhe atyre që duan ta ngadalësojnë apo ta ç’ekuilibrojnë zhvillimin. Të mendosh se qenkan rrëzuar në Kuvend gjyqtarët më të mirë, pa analizuar propozim-dekretet, kriteret, burimet, legale a konfidenciale, nuk arrin një konkluzion të drejtë. Dhe çdo goditje që mund t’i jepet mazhorancës për këtë arsye, e zbulon automatikisht kujdesin atëror për Edi Ramën, që është sot një nëpunës partiak komunist zhdanovist, stalinist. Terminologjia bolshevike e Ramës në greva e demonstrata, si dhe ushqimi i destabilizimit të jetës së vendit, tregojnë se ai nuk ka nevojë për ligj lustracioni; ai është vetë faji. Teatraliteti i tij disident, zoti Uithers, për ne shqiptarët është shumë i njohur. Dukuritë psiko-patologjike të tij nuk kanë të bëjnë fare me ndonjë formim antikomunist. Përkundrazi, ai në gjithë këto vjet ka dëshmuar se nuk ka lëvizur nga llogorja e babait të tij, që bënte bustet e Enverit, që firmoste pushkatimin e poetit Havzi Nela, që drejtonte negociatat e policisë sekrete të Hoxhës me ambasadën italiane për të dorëzuar vëllezërit Popaj. Dhe vetë Rama, bashkë me djalin e ministrit kriminel të drejtësisë së Hoxhës si dhe një bashkëpunëtor tjetër, kur bënin refleksione gjasme kundër diktaturës, shkonin në familjen Alia me një makinë preferenciale sekrete. Dhe ishte familja e Nexhmije-Alisë ajo që i vinte notën dhe çmonte lart teatralitetin e këtij vizatuesi dhe skicuesi të revistës së Sigurimit të Shtetit “Në Shërbim të Popullit”.
Prandaj, gjyqtarët e dashuruar për Ramën nuk mund të jenë ata që mund të bëjnë drejtësi sot. A e dini zoti Uithers, se brenda një dite, një të dënuari politik, njëzet vjet, si agjent i amerikanëve (akuza tipike e Sigurimit të Shtetit), i është dashur (brenda një dite) që duke kërkuar një noter, shkon tek njeriu që e kishte arrestuar; që duke u ankuar te prokurori, gjeti gjyqtarin e vet dhe duke shkuar tek gjyqtari, gjeti hetuesin e vet. ç’trishtim i madh!
Sa shumë nevojë kemi të përmendemi, të dimë çfarë na ndodhi. Ne, vetë shqiptarët; pale të huajt, për të cilët është shumë vështirë përkthimi i asaj që ka ndodhur dhe që po përpiqen ta ringjallin nëpërmjet brezit të dytë të kriminelëve komunistë. Nuk ka asnjë deklaratë distancimi zyrtar të PS-së nga krimet e Polpot Hoxhës dhe Ramiz Stalinit e Nexhmije çausheskut. Këtë kuptim, për shkak të dashurisë dhe adhurimit të shoqërisë amerikane është shumë e dhimbshme kur dëgjon apo lexon përkufizime të cilat i bëjnë fllad të shkuarës së zezë komuniste, që po përpiqen ta ringjallin në trajta të koduara me jargë “demokratike”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›