E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet kalendari trejavor i punimeve të kuvendit

Konferenca e Kryetarëve e grupeve parlamentare u mblodh paraditen e sotme për të miratuar kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit. Nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli të pranishëm në mbledhjen e parë të Konferencës, për legjislaturën e XVIII-të ishin kryetarët e dy grupeve parlamentare të maxhorancës, përkatësisht Astrit Patozi, kryetar i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lefter Koka kryetar i grupit të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohë që mungonin përfaqësuesit e grupit të Partisë Socialiste të opozitës. Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e punimeve për tre javët në vazhdim, ku përfshihet axhenda e punës së komisioneve parlamentare me shqyrtimin e një numër projektligjesh, si dhe mbajtja e seancave të rregullta plenare, duke nisur me seancën e radhës të ditës së enjte më 24 shtator. Punimet e Legjislaturës së XVIII-të, të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit u çelën më 7 shtator, pa praninë e deputetëve të opozitës socialiste. Këta të fundit, sipas vendimit politik të marrë nga grupi parlamentar e kushtëzojnë hyrjen në Kuvend me transparencën dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë këtyre ditëve Kuvendi ka vijuar me axhendën e tij normale, zgjedhjen e organeve drejtuese, zyrtarizimin e komisioneve parlamentare etj.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›