UNDP jep mbështetje të vazhdueshme për projektet e zhvillimit në Shqipëri

Administratorja e UNDP-së, Helen Clark siguroi sot Kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen e vazhdueshme të projekteve të rëndësishme, të cilat do të shfrytëzojnë më së miri potencialet njerëzore, intelektuale dhe ekonomike të Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në nisje të vizitës së tij në SHBA, ku ndodhet për të marrë pjesë në Sesionin e 64-të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga Administratorja e UNDP-së, Helen Clark. Duke vlerësuar reformat dhe nismat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, znj, Clark shprehu vlerësimet më të larta për projektin "Shqipëria në moshën dixhitale". "Kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejton kanë rastin që edhe në këtë mandat të dytë të zhvillojnë më tej reforma kaq të rëndësishme", tha znj. Clark duke uruar Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë post. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmesën tejet të vyer që UNDP i ka dhënë implementimit të projekteve madhore për zhvillimin e vendit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer veçanërisht në kuadër të projektit ONE UN për të cilin Shqipëria u zgjodh dhe vend pilot. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e UNDP-së në projektin e shtrirjes së internetit në çdo shkollë të vendit, si një prioritet i qeverisë shqiptare. Duke siguruar se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap për ecurinë e mëtejshme të projekteve të tilla, Kryeministri Berisha u shpreh se "ndihma dhe koordinimi nga ana e UNDP-së do të ishte shumë e çmuar". Një tjetër projekt për të cilin u diskutua gjatë takimit, ishte dhe ai i Eko Turizmit. Kryeministri Berisha theksoi se kjo fushë kishte njohur një rritje të paparashikuar më parë dhe se potencialet e mëdha të vendit në turizmin bregdetar, por edhe atë malor, hapnin horizonte të reja për një shfrytëzim më të madh e cilësor të tyre. Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e UNDP për forcimin e sistemit të arsimit privat, në kuadër të një partneriteti publik e privat sa më eficent. Në këtë drejtim, ai garantoi se "qeveria shqiptare do të bazohet në modelet më të mira botërore". "Qeveria shqiptare do të mobilizojë të gjitha forcat dhe resurset e saj në mbështetje të këtyre projekteve, ndërsa ndihma dhe mbështetja e UNDP-së do të ishte shumë e rëndësishme", tha Kryeministri Berisha.
...