Presidenti Topi u bën apel gjyqtarëve dhe prokurorëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin

Presidenti i Republikës, Bamir Topi kërkoi sot zbatimin me rigorozitet të ligjit nga gjyqtarët dhe prokurorët. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti Topi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë për të rritur eficensën dhe autoritetin e sistemit të drejtësisë."Gjyqësori duhet të rrisë performacën", tha Topi, duke shprehur nevojën e formatimit të sistemit të kontrollit në Gjykata. "Drejtësia penale është prova e fundit e funksionimit të drejtësisë", deklaroi ai. Gjatë fjalës së tij, Presidenti, Bamir Topi, njëherësh Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u ka bërë apel gjyqtarëve dhe prokurorëve që të zbatojnë me rigorozitet ligjin. Në kontaktet me qytetarët, kam patur ankesa për ndërhyrje në çështje të ndryshme ligjore, tha Topi duke u bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që të hedhin poshtë çdo tentativë për influenca gjatë punës së tyre. Në këtë drejtim, ai kërkoi denoncimin e çdo lloj abuzimi në këtë drejtim në mënyrë që të ketë barazi para ligjit. Presidenti i Republikës Bamir Topi theksoi edhe njëherë rëndësinë e reformës në sistemin e drejtësisë si një ndër kushtet themelore për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
...