E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e integrimit dhe opozita e Edvinit

Qeveria Berisha 2 sapo ka marrë votëbesimin e shumicës parlamentare të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, që siç do të deklaronte zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it,  plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së. Dhe një ndër këto angazhime ishte vazhdimësia me ritme gjithnjë e më të larta e projektit të Shqipërisë europiane. Gjatë 4 viteve të shkuara, vendi ynë, i qeverisur nga demokratët, kishte shënuar përparime mbresëlënëse në këtë drejtim. Ishte nënshkruar e ratifikuar brenda një periudhe të shkurtër kohe MSA-ja, dhe në prill të këtij viti kryeministri shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha i paraqiti ish-kryeministrit çek, Topolanek, në detyrën e kryesuesit të radhës së BE-së, kërkesën për statusin e vendit kandidat për në BE. Po kështu, gjatë 2 viteve të fundit të kësaj mazhorance u nisën dhe u përfunduan të gjithë procedurat për anëtarësimin e vendit në NATO dhe prej disa muajsh, flamuri shqiptar valvitet krahas flamujve të vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Lista e reformave dhe e arritjeve integruese të qeverisë Berisha 1 është e gjatë, pasi përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë dhe jetës shoqërore, por e rëndësishme është të theksohet fakti, që në periudhën 05-09, Shqipëria krijoi një staturë dhe imazh të ri qeverisës, sipas standardeve europiane. Kjo ishte aryeja që në mjaft tregues vendi ynë u rendit në top-listën e më të mirëve në botë, si përsa i përket luftës kundër korrupsionit, ashtu edhe shtimit të të ardhurave fiskale apo të investimeve të huaja. Vizita e Presidentit Bush në Shqipëri, të parit president amerikan në detyrë, u stimulua pikërisht nga imazhi i ri qeverisës i vendit tonë. Këto arritje marrin më shumë vlerë po të kemi parasysh se kur qeveria Berisha 1 erdhi në krye të vendit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut 05, Shqipëria e cfilitur nga korrupsioni dhe keqqeverisja majtiste jepte shumë pak shpresë për ndryshime të këtij standarti. Por kur punohet me përkushtim dhe devotshmëri të lartë ndaj interesave të përgjithëshme kombëtare, gjithçka është e mundur. 


Shumica e qytetarëve shqiptarë janë koshientë për përpjekjet e shumta që qeveria Berisha 1 ka bërë në këtë drejtim, gjë të cilën ata e materializuan edhe me votën e tyre pro PD-së dhe forcave të tjera të Aleancës së Ndryshimit në zgjedhjet e 28 qershorit 09. Në këto zgjedhje ata votuan për projektin e ndryshimit të Shqipërisë, si projektin më të mirë për realizimin e ëndrrës së tyre europiane, duke diktuar njëkohësisht zgjerimin e spektrit qeverisës të vendit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ndonëse një forcë politike e spektrit të majtë, LSI ka objektiva të qarta për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, të cilat në vija të përgjithshme përputhen me objektivat e forcave të djathta për këtë çështje. Në këto kushte aleanca qeverisëse midis PD-së dhe LSI-së është mëse e motivuar, pasi bazohet tek interesat e përgjithëshme të qytetarëve shqiptarë dhe jo tek meskinitetet partiake të së shkuarës, siç po ndodh me Partinë Socialiste të Edvin Ramës. Nëse do të tregohej një çilimi grindavec i politikës shqiptare, Ilir Meta, pavarësisht numrit të vogël të deputetëve, kishte më shumë mundësi se sa Edi Rama për ta çuar vendin në destabilitet e zgjedhje të parakohshme, por interesat integruese janë më të shënjta se sa interesat përfituese për të. Bindja dhe vendosmëria e palëkundur tek një projekt i tillë e ofruan Metën në kabinetin qeveritar të kryeministrit Berisha, duke e pagëzuar atë si Qeveria e Integrimit shqiptar. 


Gjatë prezantimit të programit qeveritar në Parlament kryeministri Berisha do të deklaronte midis të tjerash: Shqipëria Europiane është një ëndërr e bukur kombëtare e shqiptarëve që në rilindjen e tyre, por shndërrimi i saj në realitet është një univers i tërë reformash, ligjesh, vendimesh, veprash dhe ndryshimesh me të cilat ne duhet tju garantojmë qytetarëve shqiptarë të drejtat, standartet, normat, praktikën e qytetarëve të vendeve të zhvilluara evropiane. Sidoqoftë hapat e hedhura në qeverisjen e mëparshme lidhur me luftën e suksesshme ndaj krimit dhe korrupsionit, reformat e thella ekonomike, privatizimet e mëdha, rritjen e shpejtë ekonomike, revolucionin e thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimin e të ardhurave në këtë drejtim; rritjen me 68% të rrogës mesatare, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve të ulëta, shndërrimin e Shqipërisë në një ndër vendet më tërheqëse në rajon për investimet e huaja, etj., janë një bazë e mirë për përmbushjen e objektivave të reja integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Pra, rrethanat mbi të cilat nis startin qeveria Berisha 2 janë dhjetëra herë më të favorshme sesa 4 vjet më parë. Po kështu edhe konstituimi i kabinetit paraqitet më gjithëpërfshirës, për sa i përket programeve elektorale mbi të cilat është ngjizur programi qeveritar. Me sa duket, e vetmja pengesë për momentin mbetet opozita destruktive e Edvin Ramës, i cili nuk do tia dijë fare për dëmet që po u shkakton proceseve integruese nëpërmjet praktikave bojkotuese të Parlamentit. Janë një sërë reformash të brendshme, që duhet ti paraprijnë procesit të mëtejshëm integrues të vendit tonë, të cilat kërkojnë edhe kontributin e opozitës në Parlament. Kryeministri Berisha gjatë prezantimit të programit qeveritar në Parlament theksoi objektivat lidhur me një rishqyrtim tërësor të legjislacionit të vendit, kodeve, ligjeve dhe procedurave ligjore, për ti përshtatur ato me standardet evropiane. Po kështu, do të konsolidohet sistemi i përmbarimit shtetëror dhe privat, me qëllim që zbatimi i vendimeve të gjykatave të arrijë në mesataren e vendeve anëtare të BE-së. Nga ana tjetër, theksoi kryeministri, reforma institucionale do të vazhdojë në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim përmirësimin e funksionit të tyre. Reformës, sipas tij, do ti nënshtrohet Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Kombëtar, Entet Rregullatore, agjencitë që merren me reformën e pronësisë, etj. Reformave të thella do tu nënshtrohen arsimi, shëndetësia, diplomacia shqiptare e kështu me radhë. Ndërkohë kancelaritë perëndimore, duke përshëndetur standardet e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe krijimin e Qeverisë së Integrimit kanë paralajmëruar se, këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, vendime të cilat kanë të bëjnë me statusin e vendit kandidat, me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, etj., që përmbajnë një impakt pozitiv për të gjithë shqiptarët pa përjashtim. Kjo kërkon që çdo qytetar, por, në mënyrë të veçantë, qeveritarët, politikanët e zyrtarët, duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre për tiu përgjigjur këtij apeli. I vetmi që ka mbyllur veshët përballë një apeli të tillë është Edvin Rama. Ai, në mënyrë krejt absurde dhe pa ndonjë shkak të përligjur, vazhdon ti mbaj deputetët socialist jashtë Parlamentit. Në këtë mënyrë kryetari në detyrë i PS-së po manifeston jo vetëm papjekuri politike, por edhe dizekulibër njerëzor, që jo pak herë ia kanë venë në dukje edhe politikanë të ndryshëm në raste të shkëmbimit të replikave gjatë daljeve publike. Mosreflektimi ndaj ftesës së herëpashershme të kryeministrit Berisha, por në mënyrë të veçantë ndaj këshillës së ndërkombëtarëve për të mos bojkotuar, është një veprim i qëllimshëm për të dëmtuar proçeset integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Ai arriti të bëhet kundërshtar i gjithë botës, duke kundërshtuar vetveten. Mënyra se si po e menaxhon ai situatën e krijuar në PS-së pas humbjes së saj në zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit tregon se nuk është më Rama i 05-s që deklaronte: Nuk ka një nen në statut, por nuk ka për fat të keq as edhe ndonjë precedent në kulturën tonë të mjerë demokratike, që ta detyrojë automatikisht zotin Nano të japë dorëheqjen... Është tërësisht në dorën e tij ta krijojë ose jo këtë precedent, duke u sjellë si udhëheqës i emancipuar e i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij ekskluzive - jo thjesht në raport me humbjen, por, edhe më e rëndësishme ndoshta, në raport me të nesërmen e kësaj force që ka udhëhequr 15 vjet e për hir të së cilës duhet të ndahet nga kjo detyrë me vështrimin përpara, jo mbrapa.... Por 4 vjet më vonë, dhe pse me një nen në statut që sanksionon ndërprerjen e mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve, Rama iu nënshtrua parimit hileqar: Bëni si them unë e mos bëni si bëj unë(!). Një nga kundërshtarët e Ramës në PS, Kastriot Islami, do ta quante këtë veprim një amoralitet politik, duke shtuar se: Rama fatkeqësisht nuk rezulton në nivelin e Nanos as në logjikë, as në moral, as në inteligjencë dhe as në guxim, ose së paku në një prej tyre. Vetë Rama, që e ka vlerësuar negativisht Nanon gjatë këtyre katër viteve, vetëm me qëndrimin e tij po e amniston plotësisht atë. Nëse do të vepronte si Nano, mund të kishte edhe një shans tjetër, përndryshe në zinxhirin e humbjeve që e presin do ti shuhet edhe ndonjë meritë e deritanishme, dhe do ti preket rëndë morali e dinjiteti shumë i rëndësishëm për të ringritur një projekt të ri... qoftë edhe për individin e tij, i cili në shumë aspekte duhet vlerësuar. Në këto kushte bojkoti i Ramës është një problem shqetësues, dhe nuk mund të krahasohet, fjala vjen, me bojkotin e Nanos në aspektin e dëmeve kombëtare që mund të sjellë, qoftë edhe për faktin e karakterit problematik që manifeston lideri aktual i Partisë Socialiste. Në një shkrim të hershëm jam shprehur se, socialistët janë më të rrezikshëm në opozitë se sa në pushtet, por sot po i rikthehem këtij nënvizimi me një shqetësim serioz. Opozita e Ramës, nëse vazhdon të mos frenohet në marrëzitë e saj, do të jetë shumë problematike për ecurinë e proceseve integruese të vendit tonë, sado mirë të punohet nga qeveria Berisha 2 dhe mazhoranca parlamentare. Mjafton përfshirja e saj për një fare kohe në çështjet e brendshme partiake, duke bojkotuar Parlamentin dhe institucionet e  tjera ligjvënëse, që të shkaktojë uljen e ritmit të reformave, që duhen përmbushur këtë vjeshtë. Besojë se nuk mund të ketë liberalizim vizash dhe dhënie të statusit të vendit kandidat pa pjesëmarrjen e opozitës në Parlament. Rama e di këtë gjë prandaj vendos kushte absurde për mazhorancën, me qëllimin e keq për tia faturuar asaj edhe një pjesë të përgjegjësisë, që realisht nuk i takon. Në këto kushte, mendjet e arsyeshme në PS nuk duhet të qëndrojnë indiferente përballë marrëzive politike të Edvin Ramës, pasi përgjegjësia e tyre morale është tepër e madhe. Shqiptarët e ndershëm dhe patriotë nesër do të thonë: Mirë ky që i çmendur ish, por të mençurit e Partisë Socialiste pse nuk folën në kohë?!...


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›