Miratohet me 112 vota Kodi Zgjedhor
Është miratuar dje me shumicë votash, nën trysninë e protestave dhe daljes jashtë nga salla e Kuvendit e deputetëve grevistë, Kodi i ri Elektoral.
Pa ndonjë debat, Kodi ka arritur të marrë 112 vota pro dhe është duartrokitur nga dy palët që e kanë votuar atë.
Në sallën e Kuvendit nuk ka pasur kundërshtime, madje deputetët e dyja grupeve parlamentare, PS-PD, janë kujdesur që në fjalën e tyre të nxjerrin që ky ka qenë Kodi më i mirë i hartuar ndonjëherë në vend, i cili, sipas tyre, garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Socialistët janë kujdesur që të theksojnë se miratimi i tij nuk mbyll sfidat për qeverinë, siç është përgatitja e listave dhe dokumenteve të sakta të identifikimit.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar demokrat tha se është arritje që Kodi miratohet nëntë muaj përpara zgjedhjeve.
Bashkëkryetari demokrat në këtë komision, Ilir Rusmali, është shprehur se ky Kod respekton të gjitha standardet e vendosura nga organizmat ndërkombëtare dhe është më i miri i hartuar në këto vite, ndërkohë që duket se i të njëjtit mendim ka qenë dhe bashkëkryetari tjetër, Fatmir Xhafa, kur tha se: “Procesi i hartimit të Kodit reflekton transparencë dhe kompromis, duke sanksionuar rregulla për zgjedhjet. Konsensusi ishte tipar dallues i punës së komisionit përmes bashkëpunimit politik. Palët punuan në mënyrë të pavarur dhe ekspertët ligjorë aplikuan në Kod mbi 90% të rekomandimeve të ndërkombëtarëve që kanë gjetur trajtim në këtë ligj. Rregullat e përcaktuara në Kod nuk cenojnë votat, por mundësojnë që çdo parti të marrë përfaqësimin e merituar në Kuvend, duke zhdukur fenomenin e errët të trafikut të votave”.
Duket se në ndihmë dy partive të mëdha i ka ardhur dhe kryetari i PAD dhe njëkohësisht dhe nënkryetar i Kuvendit, Neritan Ceka, i cili tha se: “miratimi i Kodit Zgjedhor duhet të arrihej me vendosjen e një marrëveshjeje e solidariteti mes klasës politike shqiptare. Kjo ditë duhet të vendoste një marrëveshje paqeje dhe solidariteti mes klasës politike shqiptare, pasi zgjedhjet janë një pasaportë që e pret çdo shqiptar për të prekur ëndrrën e BE”.
Në Kod përcaktohen detajet për votimin, duke krijuar lehtësira për kryetarët e partive dhe duke kufizuar mundësinë për partitë e vogla dhe ato jo-parlamentare për të garuar.
Ruçi: S’kemi besim te Berisha, por na duhet të bëjmë rregullat e lojës
“Debatet politike që lidhen me këtë Kod, për fat të keq nuk i takojnë vetë Kodit, por klimës së mosbesimit që edhe këtu në seancën e sotme vihet re nga diskutimet e kolegëve. Unë jam nga ata deputetë me përvojë të gjatë në politikë, që konstatoj jo pa arsye, se mosbesimi te zgjedhjet e lira e të ndershme është real, për sa kohë që kemi ende në krye të qeverisë njeriun që nuk është dalluar ndonjëherë si organizator zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, i zgjedhjeve si ato të vitit 1996, vit në të cilin për herë të parë lindi kriza e mosbesimit elektoral.
Edhe ne nuk besojmë te zgjedhjet që bën Sali Berisha me të tijtë. Nuk e kemi harruar as ‘96 e as 2007. Përkundrazi, e kemi analizuar dhe mendojmë se kemi mësuar si të sillemi me këtë njeri, edhe pa qenë nevoja të radikalizojmë sjelljen politike vetëm 7 muaj para zgjedhjeve. Nuk ka për të qenë i lehtë zhvillimi i zgjedhjeve me Ferdinand Ponët e kompani, këtë e dimë. Por dimë gjithashtu, se shumica dërmuese e shqiptarëve sot duan ndryshimin demokratik të këtij realiteti politik, prandaj detyra jonë është jo rendja pas interesave momentale apo ekstremizimi i situatës, por bashkimi me këtë shumicë plebishitare të shqiptarëve.
Ne sot na duhet të miratojmë rregullat e lojës dhe jo të diskutojmë për rezultatin e saj ende pa filluar.”
Rusmali: PD bëri sakrifica për të mbërritur te ky Kod Zgjedhor
Bashkëkryetari i PD për komisionin e posaçëm zgjedhor, Ilir Rusmali, tha dje se Kodi Zgjedhor është një material që mbështetet në tërësinë e tij te rekomandimet e ndërkombëtarëve. Sipas Rusmalit, PD ka sakrifikuar në tërësinë e Kodit duke u tërhequr nga pozicioni i saj mazhoritar. “Nga 43 rekomandime ky Kod realizoi menjëherë 40 rekomandime. Materiali që po i paraqitet Kuvendit dallon qartësisht dhe dukshëm nga draftet e kaluara për nga cilësia. Ai është hartuar me shumë kujdes dhe kompetencë”, - tha Rusmali. Bashkëkryetari demokrat nënvizoi se: “ky/ligj është produkt i një kompromisi dhe sakrificave partiake. Nuk mund të mos i quhet sakrificë PD që tërhiqet nga pozicioni i saj për të pranuar sistemin proporcional rajonal. Sistemi i adoptuar i imponon partive të mëdha që të kërkojnë koalicion me aleatët”, - u shpreh ai.
Të vegjlit kërkojnë shtyrje të diskutimit
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, të thërrasë Konferencën e Kryetarëve me qëllim shtyrjen e diskutimeve të parashikuara për dje, gjatë seancës për miratimin e Kodit Zgjedhor. Dule kërkoi ndërhyrjen urgjent të presidentit të vendit për të mbledhur tryezën e partive parlamentare e për t’i dhënë rrugëzgjidhje këtij ngërçi politik.
Edhe deputeti i PDK, Jak Ndoka, ka kërkuar një javë shtyrje të miratimit të Kodit Zgjedhor me qëllim arritjen e një zgjidhjeje. “Ky draft është produkt i dy forcave të mëdha politike, PS e PD, dhe është hartuar në fshehtësi të plotë dhe në mënyrë jotransparente”, - tha Ndoka. “Ju kërkoj të shtyhet edhe disa ditë miratimi i këtij Kodi që të arrijmë në një zgjidhje, jo vetëm për ato pika të errëta, por për t’i thënë shqiptarëve se vota e tyre do të jetë e lirë”.
Shtyrje të miratimit të projektligjit për Kodin Zgjedhor kërkoi dje edhe deputeti Spartak Ngjela. “Unë nuk kam arritur të bëj kriticizmin, pasi Kodin e kam marrë sot në ora 10:00 dhe kam arritur të lexoj vetëm 43 faqe të tij. Unë si deputet i kësaj salle kam detyrimin të bëj kriticizmin, pasi ai Kod mund të ketë përplasje shoqërore e sociale”, - tha Ngjela.
Pjesë nga Kodi i ri Zgjedhor
Regjistrimi i zgjedhësve në listat e zgjedhësve
1. Lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi mbi bazën e të dhënave elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
2. Lista e zgjedhësve përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin në zonën e qendrës së votimit të njësisë së qeverisjes vendore, mbështetur në të dhënat elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të shtetasve ose zgjedhësit sipas Kreut III të kësaj Pjese.
3. Zgjedhësi regjistrohet vetëm në një listë zgjedhësish. Përfshirja në listën e zgjedhësve sipas Kreut III të kësaj Pjese, sjell si pasojë heqjen e zgjedhësit nga lista e zgjedhësve që hartohet në bazë të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive
1. Partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar komune apo bashkie, dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ që mbulon njësinë e qeverisjes vendore. Një kopje e listës dorëzohet në KQZ.
2. Partia politike pjesëtare e një koalicioni depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore lista e kandidatëve regjistrohet në KZAZ.
3. Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore ose kandidati për këshillat e bashkisë dhe komunës, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër, dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas apo si pjesëtare të një koalicioni, të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend.
4. Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhore më vete ose e koalicionit, nuk duhet të jetë më i vogël se sa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për partitë pjesëtare të koalicionit numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël se sa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për listat shumemërore për këshillat e bashkisë dhe komunës zbatohet i njëjti rregull.
5. Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini.
Listat mbështetëse të partive politike dhe koalicioneve
Lista e kandidatëve për Kuvend të paraqitur nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështetet nga jo më pak se 10 000 zgjedhës. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 15 000 zgjedhës. Bëjnë përjashtim nga ky rregull koalicioni ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.
Kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet në Kuvend
1. Një grup zgjedhësish në një zonë zgjedhore kanë të drejtë të propozojnë një kandidat për atë zonë zgjedhore, i cili përmbush kushtet e përcaktuara në nenin 45 dhe 69 të Kushtetutës dhe ato të përcaktuar në këtë Kod, jo më vonë se 40 ditë nga dita e zgjedhjeve.
2. Kandidati i propozuar nga një grup zgjedhësish nuk mund të jetë pjesë e asnjë partie apo koalicioni që konkurron në zgjedhje dhe as të mbështesë haptazi apo në mënyrë të tërthortë ndonjë subjekt apo kandidat tjetër që konkurron në zgjedhje.
3. Për paraqitjen e një kandidati nga zgjedhësit, krijohet një komitet nismëtar me jo më pak se 9 zgjedhës nga zona zgjedhore përkatëse, të cilët janë të ngarkuar të organizojnë punën për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatin, sipas këtij Kodi. Jo më vonë se 60 ditë para ditës se zgjedhjeve Komiteti nismëtar regjistrohet në KQZ duke paraqitur emrat e anëtarëve të komitetit. Komiteti mund të regjistrojë një kandidat për deputet vetëm në rast se ka marrë mbështetje për kandidatin nga një numër zgjedhësish që i korrespondon me jo më pak se 1% të listës së zgjedhësve të zonës zgjedhore, sipas procedurave të përcaktuara në Kod.
Paraqitja e zgjedhësit në qendrën e votimit
1. Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit:
a) zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV një nga dokumentet zyrtare të identitetit si më poshtë:
i) kartë identiteti; ose
ii) pasaportë;
b) një prej anëtarëve, i caktuar me vendim të KQV, kontrollon zgjedhësit në të dy duart, në çastin e paraqitjes para KQV dhe para marrjes së fletës së votimit, nëse është timbruar ose jo me lëndën e posaçme. Në rast se zgjedhësi është timbruar, anëtari i KQV ia bën të ditur menjëherë këtë fakt anëtarëve të tjerë të KQV, të cilët e verifikojnë menjëherë. Emri dhe mbiemri i këtij zgjedhësi shënohen në Librin e Protokollit të Mbledhjeve të KQV dhe atij nuk i jepet fletë votimi.
Financimi i subjekteve zgjedhorë nga fondet jopublike
1. Subjektet zgjedhorë mund të marrin për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore fonde vetëm nga persona fizikë ose juridik vendas. Për qëllim të këtij Kodi, do të konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlera në sende ose shërbime.
3. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksioner i tij nëse ndodhet
në një nga kushtet e mëposhtme:
a) ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë;
b) ushtron aktivitet në fushën e medias;
c) ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;
c) ka detyrime monetare ndaj buxhetit të shtetit ose ndaj çdo institucioni publik;
Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksioneri i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.
Shoqërimi i kutive të votimit dhe i materialeve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave
1. Menjëherë pas përfundimit të veprimeve të parashikuara në nenin 113 të këtij Kodi, kutitë e votimit me fletët e votimit dhe Kutia me Materialet e Votimit dërgohen në Vendin e Numërimit të Votave, të caktuar sipas nenit 94 të këtij Kodi. Materialet e tjera të përdorura gjatë procesit të votimit i dorëzohen KZAZ brenda afateve dhe në
mënyrën e përcaktuar nga KQZ.
2. Kutia/kutitë e votimit me fletët e votimit dhe Kutia me Materialet e Votimit dorëzohen në vendin e numërimit të votave, sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 3 orë nga mbyllja e votimit në qendrën e votimit. Dërgimi i tyre bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët e KQV, sekretari i KQV dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mos-prekjen e kutisë/ve të votimit me fletët e votimit dhe të Kutisë së Materialeve të Votimit. KQZ autorizon KZAZ, duke i dhënë edhe fondet e nevojshme financiare, për të siguruar transportimin me automjet të kutive të votimit me fletët e votimit dhe Kutinë me Materialet e Votimit.
3. Punonjësi i policisë, sipas pikës 2 të këtij neni, është efektiv i përhershëm i Policisë së Shtetit, përjashtuar policinë kriminale, i ngarkuar me detyrën e shoqërimit nga KQZ, me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Polici i shoqërimit duhet në çdo moment të mbajë uniformën e Policisë së Shtetit dhe të ketë në një vend të dukshëm numrin rendor të caktuar nga KQZ dhe mbiemrin e tij me përmasa të dukshme.
Përllogaritja e mandateve në zgjedhjet për Kuvendit
1. Jo më vonë se 3 ditë nga përfundimi i procesit të ankimit kundër vendimit për miratimin e rezultateve të zonës zgjedhore sipas këtij Kodi, KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore. Për zgjedhjet në Kuvend, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5%, të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse.
2. Numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt, pjesëtohet në mënyre të vazhdueshme me numra natyrore të njëpasnjëshëm, të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen ne qarkun përkatës. Hapi nga njëri pjesëtues te tjetri është:
1. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
3. Kur subjekti zgjedhor është kandidat i propozuar nga zgjedhësit, votat e tij pjesëtohen vetëm me pjesëtuesin 1.
4. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, përfshirë edhe rezultatin e pikës 3 të këtij neni, renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plote më i afërt. Renditja vazhdon derisa te renditen aq herë sa është numri i mandateve që shpërndahen në qarkun përkatës.
5. Një subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar në pikën 4 të këtij neni rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave, dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve.
Shorti hidhet publikisht në KQZ në prani të subjekteve të interesuara.
Ndarja e mandateve brenda koalicionit
1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit sipas nenit 162 të këtij Kodi KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve brenda koalicionit në çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e numrit te votave te vlefshme qe secila parti pjesëtare e koalicionit ka marrë në zonën zgjedhore përkatëse dhe numrit të mandateve që koalicioni ka fituar në zonën zgjedhore përkatëse sipas nenit 162 të këtij Kodi
2. Numri i votave të vlefshme të secilës parti , pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrore tek të njëpasnjëshëm të quajtur pjesëtues, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korrespondon dyfishit të numrit të mandateve që shpërndahen në zonë zgjedhore përkatëse. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
3. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim, renditen në listë nga herësi me i madh tek ai me i vogël, duke renditur përkrah tyre subjektin të cilit i përket herësi përkatës. Në rast se herësi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen brenda koalicionit në zonën zgjedhore përkatëse.
4. Një parti politike përfiton një numër mandatesh të barabarte me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar ne pikën 3 të këtij neni. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar ne piken 3 te këtij neni rezultojnë dy apo me shume subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave, dhe nëse ato kanë numër të barabarte votash atëherë përcaktohet me short midis atyre partive. Shorti hidhet publikisht në KQZ në prani të subjekteve të interesuara.
5. Menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti politike sipas këtij neni, KQZ përcakton mandatet nominale për çdo parti politike në
bazë të listës së kandidatëve të depozituar sipas pikës 4 të nenit 67 , në rend zbritës duke filluar nga numri rendor një.
6. Kryetari i partisë i regjistruar në më shumë se sa një listë, sipas pikës 5 të nenit 67 të këtij Kodi, ka fituar mandat në më shumë se një zonë zgjedhore mban vetëm mandatin e fituar në qarkun ku lista fituese ka marrë numrin më të vogël të votave sipas përllogaritjes të neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi. Mandatet e tjera të fituara nga kryetari i partisë i shpërndahen kandidatëve të tjerë që vijojnë menjëherë në listën shumemërore përkatëse.
7. Shpërndarja e mandateve sipas nenit 162 dhe këtij neni për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Vendimi mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor sipas procedurave të Pjesës XI të këtij Kodi.