E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria shkatërron 3-0 Maqedoninë

 

Kombëtarja shqiptare U-21 arriti një fitore të shkëlqyer 3-0 kundër homologes nga Maqedonia, në miqësoren e zhvilluar dje në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohrit, në një kohë të ftohtë dhe me shi. Mesfushori sulmues Vilfor Hysa i Teutës realizoi një gol të bukur në minutën e 18-të, duke kaluar mbrojtjen kundërshtare e më pas edhe portierin, për të shkundur rrjetën. Në limitin e pjesës së parë ishte mesfushori Emiljano Vila, po i Teutës ai që dyfishoi rezultatin për kuqezinjtë e drejtuar nga Artan Bushtati. Golin e tretë për Shpresat kuqezi e realizoi dhjetë minuta përpara përfundimit sulmuesi i Lushnjës, Polizoi Arbëri (80’), që shfrytëzoi një depërtim të bukur të Enco Malindit për të depozituar topin në portë. Për t’u theksuar debutimi i kosovar, Ahmed Januzi me fanellën kuqezi. Mesfushori me tipare sulmuesi që aktivizohet në Ukrainë me skuadrën e Vorskla Poltavës ishte thirrur nga trajneri Bushati për t’u testuar. Tekniku kuqezi i dha menjëherë një vend në formacionin titullar dhe prova e futbollistit të talentuar ka qenë vërtet e mirë. Januzi ka luajtur për 65 minuta dhe ka qenë një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Kosovari bënte diferencën në fushë, edhe për faktin se ka një fizik të admirueshëm dhe një nivel të lartë teknikë. Në radhët e kombëtares Shpresa të Maqedonisë ishin edhe katër futbollistë me origjinë shqiptare: Shabani, Selmani, Ibrahimi e Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›