Deputetët dalin nga greva: Beteja të tjera për të mos pranuar Kodin
Pak orë pasi kishte hyrë në të nëntën ditë greva e urisë, dhjetë deputetët e mbetur aty kanë dalë jashtë sallës së Kuvendit për t’u takuar me protestuesit, pa arritur asnjë nga kërkesat e tyre, për të cilat kishin hyrë në grevë urie. Pasi kanë folur para deputetëve për Kodin Elektoral dhe arsyet që u ngujuan në grevë urie kundër miratimit në Kuvend, Ilir Meta dhe nëntë deputetët e tjerë dolën për t’u takuar me protestuesit, duke ndërprerë kështu grevën e urisë së nisur tetë ditë më parë. Para Kuvendit ishin të pranishëm qytetarët mbështetës të tri partive politike, të cilët prej disa orësh kishin nisur protestën në mbështetje të grevistëve të urisë. Meta, Ndoka dhe të tjerë deputetë grevistë folën para protestuesve duke theksuar se pas grevës së urisë do të ketë hapa të tjerë kundër Kodit Elektoral. Në fjalën e tij para protestuesve, Meta u shpreh mjaft kritik edhe ndaj ndërkombëtarëve e dy qëndrimeve të ndryshme brenda një dite të OSBE. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në fjalën e tij përshëndetëse për mbështetësit e partive që hynë në grevë urie, ia dedikoi thuajse gjithë fjalimin liderit të mazhorancës, kryeministrit Sali Berisha. Ai tha se kryeministri ka pritur që deputetët që u futën në grevë të ushtrojnë dhunë, madje ata janë bërë pre e provokimeve gjatë ditës që ishin në sallë.
“Berisha ka pritur që ne të përdorim dhunë në sallën e parlamentit. Janë përpjekur të provokojnë e të fusin njerëz edhe nëpër mitingje, por ata kanë kuptuar që misioni jonë është i qartë dhe do t’i mposhtim ata vetëm me protesta qytetare”, - tha Ndoka.
Ditët në vazhdim LSI, PDK e PS ‘91 pritet të nisin negociata me presidentin Bamir Topi, me qëllim që kreu i shtetit të mund të kthejë mbrapsht Kodin Elektoral pa e dekretuar atë, për t’i hapur rrugë negociatave për kërkesat që kanë LSI, PDK e PS ‘91. Nëse do të ndodhë që edhe ky hap të jetë i dështuar, Meta dhe partitë e tjera që e mbështesin do të largohen nga parlamenti për të vazhduar betejën e ashpër kundër Edi Ramës e Sali Berishës. “Ne sot përfundojmë etapën e parë të përpjekjeve tona konstruktive dhe paqësore të sakrificave tona, dhe sidomos të sakrificave tuaja këtu jashtë për 8 ditë e 8 net me radhë. Nesër fillon një etapë tjetër, një etapë tjetër, e cila do t’i bëjë të gjithë botës së ditur se dy bosët, Rama dhe Berisha, do të marrin fund. Nesër në mëngjes do ta keni zemrën 10 herë më të fortë sesa ditën që hymë në grevën e urisë. Dua së pari t’ju falënderoj nga zemra për 8 ditë që i dhatë Shqipërisë me këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme qytetare për dhjetëra orë këtu pa pushim. Ju jeni këtu, sepse jeni të ndërgjegjshëm se pa mbrojtur lirinë tuaj sot, fëmijët tuaj nuk mund të jetojnë më mirë nesër. Ju jeni këtu, sepse ndjeni një rrezik që vjen nga kasta konsensuale Rama- Berisha, dhe të monopoleve pafund që ata duan të krijojnë në këtë vend. Ata erdhën deri te ky moment kriminal për të legjitimuar kastën e tyre, ashtu sikurse dhunuan Kushtetutën tuaj më 21 prill me kartonët e tyre vetëm për tri orë, duke hedhur poshtë vullnetin e 1 milion shqiptarëve në vitin 2008. Ata kujtojnë se ky popull është kope. Nuk do ketë diplomat që ka sytë nga xhepi i kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, nuk mund t’i trajtojë shqiptarët si persona të botës së tretë, që nuk meritojnë të kenë votën e lirë. Ne iu referohemi atyre idealeve të shenjta që u referuam në dhjetor të ‘90. Po fillojmë dhjetorin e dytë që do mbyllë tranzicionin në Shqipëri dhe do nisë rrugën drejt Evropës”, - tha Meta.
Rama: Koha ta ndahemi nga këta mashtrues që quhen politikanë
“Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të ndahemi nga politika e vjetër e së shkuarës, duke u ndarë nga këta tregtarë të frikës, nga këta tregtarë të gënjeshtrave, mllefit dhe dasive, që quhen politikanë, që jetojnë me investimin e një populli të tërë përmes votës, të cilët njerëzit e japin për të realizuar ëndrra dhe qëllime të përbashkëta dhe jo ambicie e interesa personale apo klanore të politikanëve. Është koha që politika të bëhet e qytetarëve, politika të merret me jetën, problemet, të ardhmen e njerëzve, është koha që politika të flasë për çështjet që prekin drejtpërdrejt cilësinë e familjeve shqiptare, të atyre që nuk kanë mikrofona dhe kamera për të shprehur shqetësimet dhe për këtë arsye votojnë, që të votuarit të jenë zëdhënësit e shqetësimeve të tyre dhe jo të interesave personale apo betejave për privilegje e karriera personale, të një politike që e ka lënë Shqipërinë prapa, dhe ka lënë të rinjtë sot e gjithë ditën me sytë matanë detit, për të gjetur atë që ne duhet t’ua garantojmë këtu në vendin tonë mundësinë për të realizuar synimet e tyre.”
Keqardhja e vonuar e Ben Blushit për deputetët grevistë
Kur gjithçka ishte qartësuar dhe s’kishte më dilema, kur u kuptua qartë se Ilir Meta dhe grevistët e tjerë kishin dalë nga greva e urisë, kur gjithçka ishte në favor të mbështetësve të Kodit, d.m.th., Ramës e Berishës, Ben Blushi u shfaq i vendosur në krah të Edi Ramës, duke shprehur votën e tij pro Kodit. Për nëntë ditë rresht nuk u duk kund në asnjë ambient publik, nuk tha asnjë fjalë, as ato që tha mbrëmë në seancë, se, sipas tij, ndjehej keq se dhjetë deputetë kishin qenë në grevë urie, sepse këtë keqardhje nuk e shprehu asnjë prej deputetëve të PS, me përjashtim të Arben Malajt, por edhe të Erion Braçes. Pa mëdyshje Arben Malaj tha se greva nuk mund të kalohej me indiferentizëm, por nuk shprehu asnjë solidaritet me kërkesat e grevistëve, vetëm shfaqi mendimin e tij për sensibilizimin që duhet të kishte politika. Edhe Erion Braçe gjithsesi e përmendi pjesën njerëzore të kësaj greve. Të tjerët nuk folën asnjë gjysmë llafi dhe nuk bëhet fjalë për t’u solidarizuar me kërkesat e grevistëve, por veç për një solidaritet njerëzor, të ndarë qartë nga qëndrimi politik për kërkesat e grevës.
Gjatë fjalës së tij dje në Kuvend Blushi tha gjithashtu se në një rast tjetër nuk do të fliste, por ishte greva e urisë që e bënte të fliste. Ai nuk sqaroi se cilat janë arsyet, për të cilat ai heziton të flasë në Kuvend.
“Përgjithësisht është një ditë e bukur për të gjithë ne që kemi mundësi të votojmë në Kuvend dhe sigurisht nuk të jepet dy herë rasti që në këtë legjislaturë të votosh për ndryshimin e sistemit politik të vendit tënd. Por, me sa duket, nuk do të jetë një ditë e bukur, por e trishtuar, për shkak të grevës së deputetëve, pavarësisht nga arsyet që ata kanë. Në kushte të tjera nuk do të kisha folur, për shkak të grevës nuk është koha për të heshtur. Gjithë këto ditë është krijuar përshtypja sikur ky është një problem mes PS dhe LSI përgjithësisht dhe kjo është arsyeja tjetër që dua të them diçka për këtë pikë. Kolegët e grevës që dolën, me Ilir Metën, Spartak Brahon, dhe Petro Koçin, ne kemi fituar një palë zgjedhje që unë nuk i harroj në vitin 2001. Por, së bashku me Petron ne kemi humbur një palë zgjedhje në vitin 2005 dhe sigurisht këtë nuk e harroj dot. Në atë kohë, kolegët tanë thanë që ne që jemi këtej, ishim të korruptuar edhe besoj që sot, e kanë kuptuar se në fakt të korruptuarit janë pas meje dhe sot kanë arsye për t'u bërë pishman për çfarë kanë thënë për ne të këtij krahu”, - tha Blushi.
Sidoqoftë, këto ditë u qartësua pak më shumë situata brenda PS, kryesisht marrëdhëniet ndërmjet kryetarit Rama dhe deputetëve të kësaj partie. Dje, Edi Rama garantoi heqjen e pengesave në rrugën e nisur për të përmbushur misionin e tij në PS, pikërisht instalimin e politikës së re, sepse në të vërtetë PS dëshmoi këto ditë se në pjesën e hershme të saj është pikërisht politikë e vjetër.